9 pushues nga Kosova në Shëngjin janë helmuar gjatë qëndrimit në një hotel.
Klan News raporton se pushuesit dyshohet të jenë helmuar nga një pesticid për desinsektimin e mushkonjave. Sipas AKU në Lezhë, nuk bëhet fjalë për helmim nga ushqimet.
Ata janë dërguar në spital ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Mjeku thotë se pacientët kanë pasur simptomat e një helmimi, por nuk kanë qenë në gjendje të rëndë. Pasi morën ndihmën e parë në urgjencë, u larguan nga spitali.
“Si ankesa kishin marrje mendsh, dobësi të theksuara trupore, dhimbje koke, rëndim në epigastër, pa të vjella shumë, pa të dala diarreike dhe me parametra klinikë të mirë, përveç një tensioni relativisht të ulët. Kur janë paraqitur në urgjencë janë marrë bilanc analizash dhe është dhënë ndihma me perfuzione, me qetësues. Një trajtim i thjeshtë i ndihmës së parë duke pasur parasysh simptomat e tyre. Pasi është dhënë ndihma, në përgjithësi të gjithë kanë filluar duke u përmirësuar, e kanë marrë veten dhe tani pritet përgjigjia e analizave, që në përgjithësi kanë dalë mirë si analiza. Është lajmëruar në fakt edhe Shëndeti Publik për të ardhur të shqyrtojë situatën. Për natyrën nuk mund të shprehemi. Aktualisht nuk ka të shtruar në spital, pasi kanë marrë ndihmën e parë në urgjencë dhe kanë filluar përmirësimet janë larguar nga urgjenca”, thotë mjeku i spitalit.
Ndërkohë, policia po heton për të përcaktuar shkaqet e sakta të helmimit. /tvklan.al