Shembja e hotelit të Irfan Hysenbelliut, reagon Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shembjes nga IKMT, të hotelit të Irfan Hysenbelliut, pronarit të News24.

Rama deklaron se operacioni nuk ka asnjë lidhje me lirinë e medias dhe se shënon “fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi!”

“Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një certifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi! Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë!

Ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median. Ka të bëjë vetëm me fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi! Zor se ndonjë ndërtues do i bëjë dot karshillëk ligjit paskëtaj!

Janë deri tani 15 vendime konfiskimi. Kjo e sotmja s’është e vetmja prishje, e në ndërkohë kontrollet po vazhdojnë. Do të futet një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik (maksimumi çdo 60 ditë) të zbatimit të lejeve të ndërtimit. Të tjerat janë llogje pa lidhje!” – shkruan Rama.