Një person është gjetur i vdekur dhe tetë të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja pasi mbrëmë rreth orës 11 një pjesë e një hoteli u shemb në landin gjerman Rheinland-Pfalz. Midis të bllokuarve ka edhe një fëmijë. Disa nga të bllokuarit janë rëndë të lënduar, njoftoi policia.
Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi fatkeqësinë.
Në vendngjarje janë gjithsej rreth 250 punonjës të policisë, zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit që po përpiqen të nxjerrin të bllokuarit.
Sipas mediave gjermane, është vendosur kontakt me fëmijën që ishte bllokuar nën rrënoja. Sipas informacioneve fillestare, fëmija nuk është i lënduar.
Rrjeti publik SWR raportoi se zjarrfikësit fillimisht nuk mund të hynin në ndërtesë për shkak të rrezikut të shembjes. Ndërtesat fqinje janë evakuuar për shkak të frikës se ndërtesa mund të shembet më tej. Operacionet e shpëtimit janë në vazhdim në vendin e aksidentit, në qytetin Krov në Mosel, rreth 100 kilometra në perëndim të Frankfurtit.