Shekerinska: Ushtarët nga baza logjistike kanë shkarkuar vaksinat kineze

Ministrja e Mbrojtjes Radmila Shekerinska përgëzoi ushtarët e Armatës për efikasitetin dhe organizimin gjatë shkarkimit të vaksinave kineze kundër Covid-19, të cilat arritën mëngjesin e sotëm në Shkup.

“Ushtarët nga baza e logjistikës me mekanizimin e ushtrisë bënë shkarkimin, ndihmuan në transportimin dhe ruajtjen e dy kamionëve të vaksinave që arritën në vend këtë mëngjes. Kam dëgjuar vetëm lavdërime për organizimin dhe efikasitetin e tyre. Urime, ju keni treguar edhe një herë se qytetarët mund të mbështeten në Armatën e tyre”, ka shkruar Shekeriska në Facebook.

Ndryshe, mëngjesin e sotëm në poliklinikën “Jane Sandanski” në Shkup, janë deponuar 200,000 vaksina kundër Covid-19 nga prodhuesi kinez “Sinopharm”. Më së voni deri të hënën, vaksinat do të shpërndahen në sallën “Boris Trajkovski” dhe në gjashtë qytete të tjera në të gjithë vendin, pas çka gjatë ditës së martë pritet të nis vaksinimi masiv i popullsisë, ku pritet të vaksinohen 10,000 deri 15,000 persona në ditë.