Shehapi: SKANDALOZE/EVN ka shkaktuar dëm të madh tek monumentet historike!

Behixhudin Shehapi
Monumentet janë margaritarët për të cilët duhet kujdes maksimal
Një kompani private në Tetovë (EVN) zhvillon punime për shtrimin e kabllove për përçuesin elektrik, prej një vendi në një vend tjetër të caktuar. Por, ama, në lokalitetin rreth monumentit kulturor “Ura e tabakëve” ka shkaktuar dëme të pakthyeshme me vlerë të madhe për trashëgiminë kulturore. Shqetësimi i kalimtarëve të rastit dhe qytetarëve dashamirës të trashëgimisë kulturore ishte i madh.
Sot, rreth kësaj çështjeje, në cilësinë e ekspertit u prononcova edhe unë.

“S’mund të justifikohet me asgjë intervenimi i papërgjegjshëm i kësaj kompanie në monumentin e kulturës, Ura e vjetër e Tabakëve në Tetovë. Dëmtimet janë të mëdha, të pakthyeshme…Asnjë riparim ose restaurim i asaj që njëherë prishet e dëmtohet nuk mund ta kthejë atë pjesë të monumentit në origjinalitet. Për çdo intervenim në monument kulturor të regjistruar duhet leje nga organet kompetente, nga Qendra nacionale e konservimit, respektivisht nga Drejtoria e trashëgimisë kulturore, të dy këto institucione janë organe të Ministrisë së Kulturës.
Shqetëson fakti se përveç individëve, as kompanitë, as organizatat e biznesit e as organet e administratës nuk e respektojnë ligjin dhe nuk kanë sens për rëndësinë e monumenteve që janë pjesë e traditës tonë të lavdishme, reflekse të së kaluarës dhe udhërrëfime për ardhmërinë tonë.

Imagjinoni, nëse një kompani e cila bazën e ka në një shtet evropian, dhe nëse në atë shtet vetëm një gurë i vjetër lëvizet nga vendi i vet, sa reperkusione mund të ketë për mosrespektimin e procedurës?!
Punëtorët që dje e kanë shpuar urën, kanë dëmtuar kanalin dhe vrimën origjinale për kalimin e ujit të “brazdës” së dikurshme.
Punëtorët kanë pasur mundësi që përçuesin elektrik dhe kabllot t’i kalojn prej aty por kan hapur vrima tjera. Por papërgjegjësia e ka bërë të veten. Fatkeqësisht!