Nga Ismail Arsllani
Në gjurmë pas kolosit shqiptar, Sheh Mustafa Pasha, do të gjejmë pasardhës edhe sot në Tetovë, të cilët vetëm që kanë dëgjuar se një stërgjysh i tyre kishte punuar për çështjen shqiptare.
Suat Ramadani, arsimtar i pensionuar nga Tetova, kujtohet për rrëfimet e nënës së vet, znj. Saime, e cila, derisa ishte gjallë (2005), me pietet fliste për gjyshin, i cili, që në moshën rinore, ishte vendosur në Tetovë, bashkë me familjen, babanë Sheh Numan Efendiu, duke u shpërngulur nga Follorina e Çamërisë, nga shekulli XIX.
Nipi i Sheh Mustafës, i cili mbante emrin e gjyshit të vet, në atë moshë të shtyrë dhe i dobët me shëndet, me keqardhje konstatonte se asnjë dokument dhe as ndonjë fotografi nuk ka mbetur nga Sheh Mustafa Tetova, nga frika se mos i zbulonte regjimi komunist, që kërcënohej vazhdimisht me represione edhe ndaj atyre që ruajnë kujtimet, ose, edhe më keq, dokumentet për personalitetet e shquara kombëtare shqiptare, ndaj dhe ato një kohë janë fshehur dhe më vonë edhe janë tretur diku pa gjurmë.
“Sheh Mustafa ka pasur një bibliotekë shumë të pasur të librave të rrallë, të shumtën me shkrim osman (turqishte e vjetër), të cilat, gjatë vitesh, janë shkapërderdhur dhe vjedhur nga persona që ne nuk i dimë as sot e kësaj dite”, thotë nipi 80 vjeç i këtij atdhetari (viti 2006)
“Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Tetova me rrethinë, që drejtohej nga pashallarë shqiptarë, të cilët u flijuan për ruajtjen e identitetit të tyre, do të japë një figurë markante e shumë të rëndësishme edhe për hapësirat e mbarë trojeve etnike shqiptare, personin e njohur si Sheh Mustafa Tetova, ose edhe si Mustafa Pashë Tetova (Nakshibendi).
Ky personalitet do të shquhet për nga aftësitë e tij diplomatike, në një kohë shumë të vështirë për popullin shqiptar, kur trojet e shqiptarëve po copëtoheshin nga fuqitë e mëdha. Ai do të dyndet shumë herë në drejtim të Portës së Lartë dhe prapa, që të shpëtojë çka ishte e mundur nga grabitja e tokave stërgjyshore, që u ishin lënë në dispozicion fqinjëve”, thotë Suat Ramadani, pasardhësi për nga trungu e gjaku i Sheh Mustafë Tetovës.
Në vitin 1878, fuqitë e mëdha injoronin çështjen e tërësisë së tokave autoktone shqiptare, të cilat futën në kuadër të shtetit të sapo formuar bullgar edhe Vilajetin e Kosovës dhe një pjesë të Vilajetit të Manastirit, bashkë me disa qytete të banuara me shqiptarë.
“Në një gjendje të tillë të vështirë, krerët shqiptarë iu drejtuan Portës së Lartë për gjendjen e tyre të rëndë dhe për mirëkuptim, por Porta mbajti qëndrime dyfytyrëshe, duke u përpjekur që Lëvizjes shqiptare t’i jepej kahe pro-islamike.
Me qëndrimet e Portës së Lartë ishte edhe Sulltan Abdylhamiti II, i cili me atë rast e thirri intelektualin e dëgjuar dhe mirë të njohur të kohës nga Tetova, klerikun e sektit islam, Sheh Mustafa Tetovën (Mustafa Pashë Tetova) dhe disa krerë të tjerë me ndikim shqiptarë në Stamboll, që mbi ta të bënte presion, me qëllime të caktuara”, kishte deklaruar derisa ishte gjallë, historiani prof. dr. Ali Vishko.
Sipas prof. Ali Vishko, “në mbështetje të vendimeve të Komitetit të Stambollit dhe iniciativave të njohura të atij komiteti, intelektualët e qytetarët e tjerë patriotë shqiptarë nga Tetova dhe rrethina, në maj të vitit 1878, filluan aktivitetet mes popullsisë shqiptare qytetare e fshatare, ndër intelektualë, ushtarakë të ulët e të lartë, tregtarë e zejtarë, parinë fshatare etj., për organizimin dhe angazhimin e tyre në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Për këtë qëllim, krerët shqiptarë, në maj të vitit 1878, filluan aktivitetet për formimin e Komitetit të vendit të Lidhjes Shqiptare, që do t’i organizonte radhët e ar matosura për mbrojtjen e tokave shqiptare nga grabitja dhe copëtimi”.
Prof. Ali Vishko, më tej rrëfen se si “më 22 maj të vitit 1878, në Tetovë do të mbahet një tubim protestues, ku merrnin pjesë mijëra shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe disa intelektualë, ushtarakë, pashallarë, bejlerë, tregtarë, zejtarë etj., në të cilin ishin paraqitur kërkesat për bashkimin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e tokave të tyre kundër ndarjes, që do të mund të bëhej nga ana e fqinjëve dhe kundër gjenocidit nga bandat serbe etj.
Nga protesta u dërgohet diplomatëve anglezë në Stamboll, nëpërmjet klerikut Sheh Mustafa, një letër, në të cilën, thuhet: “Ne banorët e Tetovës jemi më shumë se 30 mijë burra shqiptarë, ndërsa të krishterët nuk janë më shumë se një e katërta. Myslimanët shqiptarë përbëjnë shumicën, por ta lëmë këtë. Si shqiptarë jemi të gjithë degë të dalë nga i njëjti trung, nuk kemi mosmarrëveshje për asnjë çështje dhe jetojmë të gjithë të bashkuar”.
“Pas mbajtjes së mitingut në Tetovë, ishte formuar Komiteti i Lidhjes Shqiptare të Tetovës, i cili zgjodhi delegatët nga Tetova e rrethina, që do të merrnin pjesë në Kuvendin themelues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të merrnin pjesë: Esat Pashë Shaliani, me gradën gjeneral, i cili ishte i biri i Xheladin Beut, nip i Rexhep Pashës, pastaj Hasan Pashë Deralla nga Gradeci, me titullin gjeneral, Rexhep Pashë Shaliani-Zhelina (Tetova) gjeneral, i cili ishte i biri i Veli Beut, po ashtu nip i Rexhep Pashës, Sheh Mustafa Tetova, klerik i lartë islam, Mehmet Pashë Derralla, ushtarak dhe prijës i njohur i Lëvizjes Shqiptare, i biri i Hasan Pashë Derallës e disa të tjerë.
Pas organizimit dhe formimit të reparteve të ar matosura vullnetare shqiptare, si dhe përgatitjeve të tjera, nga fillimi i qershorit të vitit 1878, delegatët e zgjedhur tetovarë u nisën për në Prizren, me përjashtim të Sheh Mustafa Tetovës, i cili ndodhej në Stamboll, për t’i përcjellë kërkesat shqiptare drejtuar Portës së Lartë dhe Sulltan Abdylhamitit II, për njohjen e autonomisë shqiptare.
Në Stamboll, bashkë me të ishin edhe Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, Iljaz Dibra etj., të cilët kishin bërë edhe konsultimet e duhura rreth themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, nënvizonte këtë periudhë vendimmarrëse, prof. Vishko.
“Delegatët shqiptarë të Tetovës u nisën për në Prizren, të përcjellë nga qindra burra të ar matosur, ndërsa në qytetin ku duhej të themelohej lidhja, tetovarët kishin arritur më 4 qershor të vitit 1878, bashkë me ata të Gostivarit, Dibrës, Lumës etj. Më 5 qershor, këta delegatë bënë një takim me delegatët e Prizrenit, nën drejtimin e Haxhi Ymer Prizrenit, deputet në Parlamentin perandorak dhe kryetar i Komisionit të ngushtë për organizimin e mbajtjes së Kuvendit themelues të Lidhjes Shqiptare në Prizren.
Më 8 qershor, Sheh Mustafa Tetova bashkë me disa krerë të tjerë shqiptarë, që u ndodhën në Stamboll, nëpërmjet Selanikut, më 9 qershor, me tren arritën në Ferizaj, prej nga me kuaj nisën për në Prizren. Më 10 qershor fillon Kuvendi i përgjithshëm për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku kontribut të dalluar dhanë edhe delegatët nga Tetova. Nga radhët e delegatëve të Tetovës, në Kryesinë Qendrore ishin zgjedhur Sheh Mustafa Tetova, nënkryetar, ndërsa të tjerët ishin zgjedhur anëtarë”, shprehej prof. Vishko.
“Në atë kohë, Austro-Hungaria lidh një konventë me Portën e Lartë, për stacionimin e ushtrisë austro-hungareze te lumi Lim, që nxiti protesta te shqiptarët, por edhe disa përçarje. Disa qendra të Vilajetit të Kosovës, si Prizreni, Shkupi, Tetova e Prishtina u pajtuan me këtë konventë. Sheh Mustafa Tetova dhe Komiteti i Tetovës arsyetonin stacionimin e ushtrisë austro-hungareze në Sanxhak, sepse ashtu do të pengohej depërtimi i ushtrisë serbe drejt trojeve shqiptare më në jug.
Derisa disa nga krerët shqiptarë donin të vendosnin autonomi me ndihmën e Portës së Lartë, si Abdyl Frashëri dhe Sheh Mustafa, të tjerët konsideronin se Perandoria osmane ishte para shembjes, ndaj dhe duhej të përkrahej politika austro-hungareze në Ballkan dhe angazhimi për një autonomi, që do të mbështetej nga austro-hungarezët. Në shtator të vitit 1879 ishte mbajtur edhe një mbledhje e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare në Prizren, nën drejtimin e Sheh Mustafës, ku nga përfaqësuesit tetovarë merrnin pjesë Hasan Pashë Deralla, i cili përfaqësonte Komitetin ndërkrahinor të Tetovës.
Në atë kuvend, më 3 tetor 1879, pos vendimit për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, ishte vendosur që të kërkohet dhe formimi i një principate shqiptare, me qendër në Manastir. Pas këtij kuvendi, Sheh Mustafa Tetova, për shkak të pleqërisë së thellë e shëndetit të dobët, tërhiqet nga posti i kryetarit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse në vend të tij vjen Haxhi ef. Ymeri, myderis i të drejtës islame në Prizren, pikëpamjet e të cilit për çështjen shqiptare ishin identike me ato të Abdyl Frashërit”, përfundon prof. Ali Vishko, pikëpamjet e tij për këtë periudhë delikate të zgjidhjes së çështjes shqiptare në të katër vilajetet shqiptare. (Shkëputur nga libri im “Distinktivi tetovar” botuar më 2008).
P.S. Është për t’u habitur se si Sheh Mustafa Tetova, ky personalitet i shquar dhe veprimtar i palodhur për çështjen kombëtare shqiptare dhe për shpëtimin e tokave autoktone shqiptare nga grabitjet e fqinjëve, misionar i denjë në koordinimin e punëve të Lidhjes së Prizrenit në relacionin Prizren-Stamboll dhe anasjelltas, i zgjedhur nënkryetar i Kryesisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), po injorohet nga disa historianë që veprojnë në gjeografinë shqiptare, sikundër edhe nga vetë bashkëqytetarët e tij tetovarë dhe strukturat shqiptare pushtetmbajtëse të vendit.
Në foto: Sheh Mustafa Tetova, fotografia e vetme e ruajtur në arkivin e stërnipit të tij, Xhelal Hysniu nga Tetova