Shefi i OBSH-së tregon kur mund t’i vije fundi pandemisë

Pandemia e COVID-19 do të përfundojë “kur bota të vendosë t’i jep fund”, pasi “të gjitha mjetet” për të luftuar virusin janë tani në dispozicion, deklaroi sot shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke përsëritur thirrjet e tij për një shpërndarje më të drejtë të vaksinës.

“Pandemia do të përfundojë kur bota të vendosë t’i jep fund, është në duart tona, të gjitha mjetet e nevojshme janë në dispozicion”, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në një konferencë në Berlin.

Ai shprehu keqardhjen që deri më tani “bota nuk i ka përdorur me mençuri këto mjete” dhe tha se me “rreth 50.000 vdekje në botë në javë, pandemia është larg përfundimit”.
Kreu i OBSH -së foli në hapjen e madhe të “Samitit Botëror për Shëndetin”, mbledhja vjetore e profesionistëve dhe politikanëve në Berlin.

Objektivi i OBSH-së është që 40 për qind e popullsisë së çdo vendi të vaksinohet deri në fund të vitit dhe 70 për qind deri në mesin e vitit 2022. Tedros thekson rregullisht se i vjen keq për akumulimin e vaksinave kundër COVID-19 në vendet e pasura.

“Është e mundur, por vetëm nëse vendet dhe kompanitë që kontrollojnë furnizimin i kthejnë fjalët e tyre në vepra. Vendet që kanë vaksinuar tashmë 40 për qind të popullsisë, duke përfshirë G20, duhet t’i lënë sasitë e tyre në shpërndarjen e vaksinave në sistemin ndërkombëtar Covax dhe Fondin Afrikan të Prokurimit të Vaksinave (Avat) të krijuar nga Bashkimi Afrikan,” tha Tedros.

“Prodhuesit e vaksinave duhet të ndajnë njohuritë, teknologjitë dhe licencat e tyre dhe të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale,” shpjegoi ai.

Në një video-mesazh të regjistruar, kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, vlerësoi se “suksesi i vaksinave, të zhvilluara dhe të vendosura në treg në kohë rekord, u la nën hije nga tragjedia e shpërndarjes së padrejtë”.
“Ne të gjithë jemi të kërcënuar nga nacionalizmi dhe akumulimi i vaksinave,” tha Guterres