Shtetet e Bashkuara thyen një tjetër rekord shqetësues të martën, kur regjistruan 47 mijë raste të reja me koronavirus, numri më i lartë i infeksioneve të reja brenda një dite që nga fillimi i pandemisë.
Infeksionet e reja shfaqen kryesisht në shtetet jugperëndimore, Arizonë dhe Teksas si dhe në Kaliforni. Po ashtu ka pasur rritje të infeksioneve edhe në Florida, Xhorxhia dhe Karolinën e Jugut.
Përhapja e infeksioneve në SHBA u shoqërua me paralajmërime nga eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive, Dr. Anthony Fauci, i cili tha në një seancë informimi në Senat se ritmet e përhapjes së infeksionit mund të arrijnë në 100 mijë raste të reja në ditë nëse nuk merren masa.
“Pa diskutim, për momentin nuk e kemi problemin nën kontroll,” tha Dr. Fauci. Ai paralajmëroi se reagimi me masa të përqëndruara vetëm tek shtetet që aktualisht po regjistrojnë keqësim të problemit, “e vë të tërë vendin në rrezik”.
Më shumë se 127,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19, mbi 2 milionë e 636 mijë kanë rezultuar pozitivë dhe miliona kanë humbur punën. Ekonomia u tkurr mjaft në tremujorin e parë dhe pritet të shënojnë rënie edhe më të thellë për tremujorin prill-qershor.
Dr. Fauci po dëshmonte në Kongres, ndërkohë që guvernatorët e Nju Jorkut, Nju Xhërsit dhe Konektikatit, tre shtete në pjesën verilindore të vendit që u përballën me pandeminë në fillimet e përhapjes në SHBA, shtuan shtetet e Kalifornisë, Xhorxhias, Ajdahos, Ajovas, Luizianës, Misisipit, Nevadës dhe Tenesisë në listën e shteteve, banorët e të cilëve do të kërkohen të qëndrojnë në karantinë për dy javë.
Lista përfshinte fillimisht tetë shtete – Alabamën, Arizonën, Arkansasin, Floridën, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Teksasin dhe Jutan në karantinën e vendosur nga Nju Jorku, Nju Xhërsi dhe Konektikati.
Shtimi i rasteve me koronavirus ka detyruar guvernatorët e Floridës, Teksasit dhe Kalifornisë të ngadalësojnë planet e rihapjes, duke u dhënë urdhër bareve dhe restoranteve të mbyllen dhe duke bërë të detyrueshme vënien e maskave.
SHBA kryesojnë në botë me numrin më të lartë të infeksioneve. Si rezultat amerikanët nuk janë përfshirë në listën e vendeve që do të lejohen të vizitojnë Bashkimin Evropian.