SHBA ofron 10 milionë dollarë për kapjen e Sanaullah Ghafar, liderit të ISIS-K

Shtetet e Bashkuara ofrojnë 10 milionë dollarë për informacione që do të çojnë në kapjen e udhëheqësit të ISIS-K, Sanaullah Ghafari, dhe nga 10 milionë dollarë për arrestimin e personave përgjegjës për sulmin në aeroportin e Kabulit në gusht 2021.

ISIS-K, ose Shteti Islamik i Provincës Khorasan, është një organizatë partnere e ISIS në provincën Khorasan që përfshin territore në Afganistan dhe Iran.
Organizata është shfaqur për herë të parë në vitin 2014. Më parë ka luftuar edhe kundër qeverisë afgane të mbështetur nga Perëndimi, por edhe kundër Talebanëve.

Në qershor 2020, Ghafari u shpall udhëheqës i grupit ekstremist. Ai është përgjegjës për miratimin e operacioneve të ISIS-K në Afganistan dhe grumbullimin e fondeve për kryerjen e këtyre operacioneve, tha Departamenti Amerikan i Shtetit. Në nëntor, DASH e futi atë në listën e terroristëve botërorë.

Ushtria amerikane tha të premten e kaluar se një person i vetëm nga ISIS-K vrau 13 ushtarë amerikanë dhe të paktën 170 afganë në sulmin në aeroportin e Kabulit gushtin e vitit të kaluar. Shpërthimi me bombë ndodhi më datë 26, teksa trupat amerikane po ndihmonin evakuimin e bashkëkombësve të tyre dhe afganëve, pas marrjes së kontrollit të vendit nga ana e Talebanëve.

Zyrtarët amerikanë thanë në nëntor 2021 se ISIS-K mund të zhvillonte kapacitete për të kryer sulme terroriste jashtë Afganistanit brenda 12 muajsh.