SHBA/ Nisin provat përfundimtare me vaksinën kundër COVID-19

Prova më e madhe klinike në botë me vaksinën kundër COVID-19 nisi të hënën me 27 korrik me vullnetaret e parë nga 30 mijë të planifikuar. Vaksina eksperimentale është prodhuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe kompania “Moderna Inc.” dhe është një nga disa prej kandidateve të mundshme në garën botërore për prodhimin e një vaksine kundër virusit.

Nuk ka ende asnjë garanci se vaksina eksperimentale e zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe “Moderna Inc.” do të garantojë mbrojtje nga COVID-19.
Vullnetarët nuk do ta dinë nëse po marrin injeksionin e vërtetë apo një imitim të vaksinës. Pas dy dozash shkencëtarët do të ndjekin nga afër se cili grup do të pësojë më shumë infeksione ndërsa ato vazhdojnë me rutinën e tyre të përditshme veçanërisht në ato zonat ku virusi po përhapet i pakontrolluar.

Kompania “Moderna” tha se vaksinimi nisi në Savanah të Xhorxhias mes më shumë se 12 vendeve të tjera ku po kryhen prova klinike në të gjithë vendin.
Në Binghamton të Nju Jorkut infermierja Melissa Harting tha se ajo ishte ofruar si vullnetare “për të bërë atë që i takon për të ndihmuar”. “Ndihem e ngazëllyer” tha zonja Harting përpara vaksinimit të hënën në mëngjes.

Disa vaksina të tjera eksperimentale të prodhuara nga Kina dhe nga universiteti i Oksfordit në Britani ndodhen në fazën përfundimtare të disa testime në shkallë të ulët që po kryen në Brazil dhe vende të tjera të goditura rëndë nga pandemia.

Por SHBA po kërkon të vendosë një standard të lartë për të gjitha testimet që do të kryejë për çdo vaksinë që mund të përdoret në vend. Çdo muaj, Rrjeti Parandalues i COVID-19, i financuar nga qeveria, do të kryeje një studim të ri të çdo vaksine që shihet si kandidate potenciale për përdorim masiv, secila me të 30 mijë vullnetarët e rekrutuar rishtazi. Studimet masive nuk janë thjesht për të provuar nëse të vaksinat funksionojnë, ato janë të nevojshme për të kontrolluar sigurinë e tyre. Ndjekja e rregullave të njëjta të studimit do t’u japë mundësinë shkencëtarëve të bëjnë krahasime mes të gjitha vaksinave.