SHBA-ja me mbështetje për Marrëveshjen e Prespës, mbetet e fokusuar në rajon

 Marrëveshja historike e Prespës e hapi rrugën që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës dhe ta përshpejtojë integrimin e saj evropian. Vendi tani është në vendin e vërtetë në Evropë dhe në NATO. Kjo Marrëveshje, siç theksoi ish-ambasadori i SHBA-së në vend, Filip Riker, i cili është ndihmës sekretar shtetëror i ardhshëm amerikan për çështje evropiane dhe euroaziatike, tregon se konfliktet e rrënjosura thellë historike mund të tejkalohen. Në këtë kuptim, theksoi, SHBA-ja do të vazhdojë të japë mbështetje ndaj aspiratave të të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor me qëllim që ato të sigurojnë anëtarësim në BE.

“Kjo nuk është për shkak të mirësisë së zemrave tona, por sepse kjo është interes strategjik i SHBA-së të ketë paqe, prosperitet dhe stabilitet në Evropë”, theksoi Riker. Ai thotë se të gjithë duhet të paramendojnë se si mund të duket e ardhmja e Ballkanit Perëndimor nëse liderët në rajon ndërtojnë mbi momentumin e këtij suksesi historik dhe të arrijnë kompromise dhe pajtime të ngjajshme.

Riker, i cili për momentin e kryen funksionin e këshilltarit politik të komandantit të Komandës ushtarake evropiane të Forcave të armatosura të SHBA-së, foli për sfidat kyçe të shteteve nga Ballkani Perëndimor dhe mbështetjen amerikane për përpjekjet e këtyre vendeve për t’u bërë pjesë e Evropës.

Sipas tij, Evropa sot është qendër e garës gjeopolitike. Moska, theksoi ai, gjatë viteve të fundit ka tentuar me dhunë t’i ribëjë kufijtë në Evropën lindore duke ushtruar presion ndaj fqinjëve, duke mbajtur fushata të dezinformimeve dhe përzierje kundër Perëndimit.

SHBA-ja dhe Evropa, tha, duhet të punojnë së bashku për të siguruar që Perëndimi të mbetet modeli më praktik për shoqëri moderne dhe të lira.

“Në vendet që e zgjodhën rrugën perëndimore, ne do të vazhdojmë t’u japim mbështetje në mënyrë që t’i përshpejtojmë reformat demokratike me qëllim që t’i kyçim drejt kombeve të komunitetit perëndimor. Shpresa jonë për të ardhmen tuaj është një Ballkan stabil që është në linjë me vlerat tona të përbashkëta, tërësisht i integruar në institucionet perëndimore dhe rezistues ndaj destabilizimit dhe ndikimeve të dëmshme nga jashtë”, tha Riker.

Politikën që SHBA-ja e zbaton në Ballkan, e me atë edhe në vend, shtoi ai, përputhet me interesat dhe aspiratat e vendeve për anëtarësim në BE dhe në NATO. .