SHBA dënon gjuhën e Erdoganit për Izraelin

Shtetet e Bashkuara i dënuan komentet “antisemitike” të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për popullin hebre.
Tensionet midis ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës kanë arritur nivelin më të lartë qysh në vitin 2014.

Në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se “gjuha antisemitike nuk ka vend askund”.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara për të luftuar antisemitizmin në të gjitha format e tij”, tha Departamenti amerikan i Shtetit, duke i bërë thirrje Turqisë që t’i bashkohet SHBA-së në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Erdogan, për kohë të gjatë, ka shprehur mbështetje për palestinezët, edhe pse Turqia është ndër vendet e pakta me shumicë myslimane që ka marrëdhënie afatgjata me Izraelin.
Dënimi nga SHBA-ja erdhi pasi Erdogan e akuzoi Izraelin për “terrorizëm” kundër palestinezëve, duke thënë se kjo “është në natyrën e tij”.
“Ata janë vrasës deri në atë pikë që vrasin fëmijë 5 ose 6 vjeç. Ata kënaqen vetëm duke thithur gjakun e tyre”, tha Erdogan.

Më herët, Erdogan tha se edhe presidenti amerikan, Joe Biden, “ka duar të përgjakshme”, për shkak të mbështetjes së SHBA-së për Izraelin.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur qëkur Izraeli, më 10 maj, ka filluar një fushatë ajrore në Gaza, pasi militantët e Hamasit, që kontrollojnë territorin, kanë hedhur raketa në drejtim të Izraelit.

Dhuna ka pasuar disa ditë trazira rreth kompleksit të Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor.
Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thonë se 217 palestinezë, përfshirë 63 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite dhe më shumë se 1,400 janë plagosur.
Sipas zyrtarëve në Izrael, atje janë vrarë 12 vetë.