Shaqiri: “Me reformat në arsim u mësojmë fëmijëve tolerancën, që të mos përsëriten gabimet historike të së kaluarës”

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë ngjarjet historike si persekutimi i hebrenjve, duhet t’i përkujtojmë dhe t’i kujtojmë vazhdimisht, me të vetmin qëllim që të mësojmë se si të veprojmë, në mënyrë që e kaluara të mos përsëritet në të ardhmen, theksoi ministri e Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në seancën përkujtimore me rastin e Natës së Kristaltë” e cila në vitin 1938 shënoi fillimin e shfarosjes në Evropë. Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup e shënon këtë ngjarje për të gjashtin vit radhazi, ndërsa këtë vit në bashkëpunim me Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës.

“Duhet të krijojmë breza të rinj të arsimuar edhe nga familja, nga shkolla dhe nga mjedisi ku jetojnë. Gjeneratat e reja pa ndjenja urrejtjeje, por me respekt, humanizëm dhe bashkëjetesë si vlera qytetëruese”, theksoi ministri Shaqiri, duke shtuar se me reformat që po bëjmë në fushën e arsimit, theks i veçantë i vihet integrimit dhe ndërkulturalizmit, të cilat promovojnë tolerancën pavarësisht të dallimeve racore, fetare apo etnike, duke nxitur afrim më të madh mes bashkësive të ndryshme që jetojnë në vendin tonë. Përmirësimi i integrimit ndëretnik në arsim gjithashtu krijon kohezion më të mirë social në shoqëri.

Me programet e reja mësimore, antisemitizmi mësohet si temë në shumë klasa dhe njëkohësisht është përmbajtje e aktiviteteve jashtëshkollore. E gjithë kjo ka për qëllim sensibilizimin e çështjes së Holokaustit, që asnjëherë të mos përsëritet më, u shpreh ministri Shaqiri.

“Shkolla është vendi i duhur ku fëmijët nga mosha më e re mund të mësojnë për vlerat pozitive, që të zhvillohen në persona me karakteristika humane. Si ministër i Arsimit dhe Shkencës, angazhohem për eliminimin e vazhdueshëm të urrejtjes dhe diskriminimit në procesin arsimor”, potencoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Shaqiri.