Shaqiri: Ka pasur mjaftueshëm kohë që të organizohet transport për nxënësit e gjimnazit “Mirko Mileski” në Kërçovë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri sot për TV21 komentoi problemet që kanë me transportin disa nxënës të gjimnazit “Mirko Mileski” në Kërçovë. Shaqiri thotë se prej sot do të jetë në komunikim me autoritetet lokale, ndërkaq thekson se ka pasur kohë që të organizohet transporti që të evitohen probleme të këtilla teknike.

“Sot kemi marrë informacionin. Gjatë ditës do të komunikoj. Kuptohet se procesin e organizimit dhe mbikqyrjes së arsimit çdo herë është i ndërlidhur me institucionet qendrore dhe institucione e pushtetit lokal. Do të shoh komunikimin nga afër me këtë, për të parë problematikën ose ndodhinë, por në raste konkrete të mundohemi të anashkalojmë problemet teknike. Këto vështirësi të aspektit teknik dua dhe do të kërkoj nga të gjithë përfaqësuesit e pushtetit lokal të jenë sa më shumë minimale, sespe kishim kohë për planifikim”, tha Shaqiri.

Ndryshe, mbi 50 gjimnazistë të gjimnazit “Mirko Mileski” në Kërçovë kanë mbetur jashtë bankave shkollore për shkak të ndërprerjes së transportit, prindërit janë tejet të revoltuar sepse fëmijët e tyre deri më 15 shkurt ashtu siç u është thënë do të jenë jashtë bankave shkollore duke ndjekur mësimin online, pikërisht për shkak të mungesës së transportit.