Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri i është përgjigjur ankesave të kreu të komunës së Kumanovës për gjendjen në gjimnazin “Sami Frashëri”. Shaqiri në një prononcim për TV21 tha se për ndërtimin e kësaj shkolle janë ndarë 60 milionë denarë për këtë vit dhe 70 milionë për vitin tjetër dhe se mos-realizimi është shkaku se komuna nuk ka dërguar plan dhe leje ndërtimi.
“Kemi pasur, vet personalisht, me ekipet tona të përbashkëta, kemi pasur më shumë se 2-3 takime. Mjetet, Qeveria ka një buxhet të veçantë në MASH, për këtë vit janë siguruar rreth 60 milionë, për vitin tjetër janë siguruar rreth 70 milionë, po për të njëjtin gjimnaz. Që ne të organizojmë procedurat, atë fjalë të cilin e kam thënë, mos të merret me deklarata politike dhe edhe një herë po e potencoj, ka pasur afat vetë që e ka dhënë në fillim. Në muajin mars, prill, maj. Është i shqetësuar se kush e organizon, kush i ka siguruar mjetet, kush do i bëjë procedurat. Procedurat sipas ligjit, ashtu si janë për çdo shkollë, siç është bërë shkolla në Reçicë të Vogël, në çdo shkollë të re që ndërtohet. Komunat duhet të dorëzojnë projektet, me leje ndërtimi, që MASH të organizojë procedurat për zgjedhjen e operatorit ekonomik që të bëjë realizimin e asaj shkolle”, tha Shaqiri.