Shaqiri: “Do të formohet Këshill për zgjidhjen e problemeve me librat”

Në kohë sa më të shkurtër do të formohet Këshill i cili do të duhet t’i zgjidh problemet me librat në shkollat fillore dhe të mesme, pasi që të gjitha punët nuk varen nga Ministria, deklaroi sot ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, i cili sot ishte për vizitë në Universitetin e Manastirit me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

“Problemi me librat nuk është vetëm në shkollat fillore, por edhe në të mesmet. Mendoj se në kohë sa më të shpejtë do të formohet një llok këshilli për tërë këtë problem, i cili nuk është vetëm këtë vit, që përfundimisht të gjendet zgjidhje edhe për shkollat fillore edhe për të mesmet. Në procesin e shkollës së mesme ne disa vite jemi në fazën e përgatitjes së ligjeve të reja. Shoh duhet të formojmë Këshill i cili do t’i koordinojë të gjitha çështjet pasi që të gjitha punët nuk varen vetëm prej Ministrisë, por edhe prej Byrosë për Arsim dhe institucioneve tjera”, tha Shaqiri.

Ai tha se pret që këtë dhe muajin tjetër të mbarojnë proceset për libra edhe në Komisionin Nacional, por edhe në procesin e shtypjes, që nxënësit e shkollave fillore që mësojnë sipas konceptit të ri të mos jenë pa materiale.

“Si Komision Nacional i Librave tanimë kemi libra të miratuar, tanimë mbaron procesi i ankesave për operatorin ekonomik. Siç do të mbarojë procesi i miratimit, pres që në tetor dhe nëntor të gjithë proceset për librat të mbarojnë edhe në Komisionin Nacional dhe në procesin e shtypjes. Unë në muajin qershor, kur pash se kemi proces i cili nuk do të jetë i shkurtër, a do të jetë i gjatë, kërkova nga Byroja që të përgatisin materiale përgatitore të cilat janë dorëzuar deri te nxënësit e shkollave fillore prej klasës së parë deri në të pestën”, tha Shaqiri.

Ndryshe, në fillim të shtatorit, u bë e ditur se fëmijët e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta, materialet mësimore të të cilëve po ndryshohen, nuk kanë libra. Në vend të librave, Ministria e Arsimit, së bashku me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, ka përgatitur materiale që nga 1 shtatori për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve dhe vetëm për dy muajt e parë dhe do t’u dërgohen nxënësve në kohë dhe do të sigurohen nga ministria. Por, problemi i librave nuk është zgjidhur edhe pse ka pothuajse një muaj që mësimi ka filluar.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, pret që deri në fund të tetorit, fillimi i nëntorit, nxënësit e klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pestë të marrin tekstet shkollore.