Shaip Kamberi i reagon ashpër Vuçiqit

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kërcënoi me një konflikt të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Sinjali. Kamberi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se sikurse në Serbi që i ka dhënë pak pushtet personal Vuçiqit për t’u dukur demokratik, të njëjtën po dëshiron me e bë edhe me shqiptarët.

“Fatkeqësisht, Presidenti Vuçiq vazhdon politikat e tij të ofrimit të pozitave personale pa pushtet për ta maskuar politikën e tij autoritare.Sikurse me disa individa nga opozita në Serbi që i ka dhënë pak pushtet personal për t’u dukur demokratik, të njëjtën po do me bërë edhe me shqiptarët. Ofrimi i karrotave për individa nuk e fsheh gjendjen aktuale. Problemi nuk është te përfaqësimi simbolik qeveritar, por te pabarazia shoqërore”, ka shkruajtur Kamberi.

Tutje, Kamberi i ka bërë thirrje ish-ministrit të Millosheviqit që t’i zbatojë zotimet për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. “Mungesën e demokracisë në Serbi nuk e fsheh me imazh qeveritar. Mungesën e barazisë në Serbi nuk e fsheh me imazh multietnik dhe multipartiak qeveritar. Presidenti dhe qeveria e tij po ikin nga përgjegjësitë e tij shtetërore. Z.President mos u fsheh duke tentuar të dukesh demokratik.

Politika e imazhit të rremë nuk e fsheh të vërtetën e Serbisë. Edhe me gjetur shqiptarë për qeverinë tënde. Z.President, në vend të këtyre politikave të joshjes së individëve me pushtet simbolik, pa asnjë rezultat konkret për të mirën e përgjithshme, zbato angazhimet dhe zotimet e shtetit për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Janë marrëveshje që i ka firmosur shteti serb. Nëse jeni për shtet, siç thuani çdo ditë”, ka shkruajtur Kamberi.