Sezoni turistik në Shqipëri, një mijë forca policore gjatë vijës bregdetare


Policia e Shqipërisë po zbaton një plan masash për të garantuar sigurinë e mbarëvajtjes së sezonit turistik.

Zëvendës-ministrja e Brendshme Romina Kuko, tha sot se “1,000 forca policie janë vendosur përgjatë gjithë vijës bregdetare në të gjithë territorin e vendit, me qëllim rritjen e disponibilitetit të policisë ndaj turistëve dhe pushuesve, fluksi i të cilëve sa vjen e shtohet në destinacionet bregdetare shqiptare”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në takimin mbi turizmin që zhvilloi punimet në Durrës, Kuko theksoi se, pikërisht në Durrës që është edhe destinacioni kryesor i turistëve, “kemi shtuar një postë policie, ndërkohë që janë shtuar masat e sigurisë nga ajri dhe deti”.

Gjithashtu u shpreh ajo, kujdes po bëhet edhe për mjetet lundruese që të mos ndërhyjnë në sigurinë e pushuesve që lahen në det, ndërkohë që ka filluar monitorimi i zhurmave në lokale për respektimin e orarit, transmeton ATSH.

Kuko tha se, shërbime të policisë, patrullojnë në plazh me biçikleta për të garantuar sigurinë në mbarëvajtjen e sezonit turistik.