Se*sizëm e diskriminim për ta bërë të famshme, Albi Nako pranon se ishte e gjitha një “lojë”

Pas shumë reagimeve dhe kritikave në rrjetet sociale, koreografi Albi Nako ka kërkuar falje për komentet e bëra ndaj një konkurenteje në rubrikën “Just Dance” në Top Channel. Nako e krahasoi konkurenten me një prej personazheve të filmit “Planeti i Majmunëve” ndërsa i tha se në moshën e saj (40 vjeç) do të ishte më mirë të martohej e të bënte fëmijë se sa të garonte përkrah të rinjve pjesëmarrës në program. Por duket se e gjithë deklarata e koreografit është bërë me qëllim për të krijuar zhurmë në media. Vetë Nako tha mëngjesin e sotëm në një intervistë në “Top Albania Radio”, se gjithçka ishte e stisur mes tij dhe Belës, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të marrësh vëmendje në vendin tonë. Në fund, Nako kërkoi falje, duke pranuar se e gjitha ishte një lojë.

“Jam shumë i habitur me një numer reagimesh në rrjetet sociale në lidhje me batutat e shkëmbyera me Belen, sfidanten 40 vjeçare që njihemi e punojmë bashkë për më shumë se 15 vite. E ndjej të nevojshme të sqaroj se në një show televiziv gjithçka ndodh, zhvillohet në marreveshje mes palesh per konsum publik. (Që dmth, ajo e dinte çfare do i thoja dhe unë e dija çfare do më pergjigjej).

“Ne punojmë bashkë si për aktivitete të ndryshme po ashtu dhe ne Akademinw time, ku Bela jep lëndën e gjimnastikës dhe ramë dakord t’i beja një promo në këtë lloj forme se vetëm kështu funksionon nëse do të besh lajm. Dhe si pasojë ajo u bë e famshme dhe unë mora qindra sharje e mallkime mbi kurrizin tim. Nese keto batuta nuk kane tingelluar mire nga pikëpamja etike pres mirëkuptimin e të gjithe atyre që më ndjekin duke kërkuar me modesti ndjesë publike e duke ju thënë që gjithçka është një lojë”-ka thënë Nako.

Pra koreografi dhe kolegia e tij kishin rënë dakord për këto batuta diskriminuese e seksiste, me qëllimin për të krijuar zhurmë në rrjetet sociale e për ti dhënë famë Belës. Por a ishte kjo mënyra e duhur?

Ja çfarë ndodhi dje në “Just Dance”:

Ditën e djeshme, pas transmetimit të spektaklit të talenteve ‘Just dance” në E diell, rrjeti nisi një sulm ndaj koreografit Albi Nako, i cili është pjesë e jurisë së “Just Dance” (një talent-show ku në garë janë të vendosur kërcimtarë amatorë ose persona të talentuar në këtë fushë, por jo profesionistë). Shkak ishin komentet e tij ndaj njërës prej konkurenteve, Belës, pas përfundimit të kërcimit të saj.

“Për mua dukesh si një personazh tipik i atyre filmave psh “Planeti i majmunëve”, por gjithsesi, sa vjeçë je?- ka qenë komenti dhe pyetja e Nakos. Pasi Bela, u përgjigj se ishte 40 vjeç, mes duartrokitjeve të publikut, koreografi shtoi këtë koment, i cili nuk kishte aspak lidhje me performancën e saj në këtë garë.

“Gjithsesi komplimente, por unë mendoj se të garosh me këta të rinj, pa përjashtuar gjithë energjinë tënde, mendoj se je në një moshë, më mirë martohu dhe bëj fëmijë se sa të vazhdosh”. Pikërisht kjo pjesë, solli dhjetra reagime në rrjete sociale. Sipas ndjekësve, komenti i koreografit ishte seksist, paragjykues, me tona të larta inferioriteti, i turpshëm, zhgënjyes etj.