Sermine Purrini largohet nga QIK-u

I nderuari publik i rregullt i QIK-ut,
Të nderuar artistë dhe bashkëpunëtorë profesionistë,
Të nderuar kolegë të QIK-ut,
Të nderuar bashkëqytetarë të Shkupit,

Pas një dekade të kaluar në krye të Qendrës Informative Kulturore të Qytetit të Shkupit (QIK – Shkup), po largohem me krenari dhe me bindjen e plotë se ia arrita ta përmbushi misionin me të cilin u udhëhoqa që nga dita e parë e marjes së obligimit të të ushtruarit të postit Drejtor i QIK-ut i kryeqytetit tonë. Pa modesti të rrejshme, do të them se mbrenda këtyre viteve ia arrita që këtë institucion ta shndërroj në hapësirë të të shprehurit artistik pamor dhe muzikor për secilin artist dhe krijues pa dallim të gjuhës së shprehjes, që shpesh kishte qenë kusht përcaktues se kush duhet ta fitojë biletën për të hyrë dhe kush duhet të ngelë jashtë hapësirave prezantuese të kësaj shtëpije të artit. Pa asnjë dyshim, në këtë angazhim me përkushtim në punën e përditshme, nuk kam qenë e vetme. Me bindjen më të madhe e them se këtë sukses e kemi arritur të gjithë sëbashku, bashkëpunëtorët profesionistë dhe të punësuarit në QIK. Gjithsesi, suksesi ynë është një vlerë e shtuar edhe nga publiku ynë, i cili ka treguar se e vlerëson shumë punën tonë kur ka duartrokitur gjatë në fund të çdo shfaqjeje artistike dhe ka ndjekur gjithmonë në numër të madh çdo ekspozitë, recital, orkestrim dhe aktivitete të tjera.

Më lejoni, që të bëj një retrospektivë të shkurtër dhe të rikthej në kujtesën tonë disa nga punët që kemi bërë të gjithë ne të QIK-ut.

Ndërtuam dhe me shumë përkushtim mbajtëm në jetë projekte të suksesshme që kanë lënë gjurmë në jetën artistike të qytetit tonë të Shkupit, por edhe më gjerë, e që për qindra piktorë, poetë dhe muzikantë, u bënë skena e luajtjes dhe shfaqjes së krijimeve të tyre artistike. Dëshiroj që të njejtat të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe të ngelin të hapura për të gjithë ashtu siq qenë “Tingujt e Çarshisë”, “Te gjithë së bashku…”, ”Shkupi lexon”, “Këngët e arta”, “Vijmë…” “Gjimnazistët” etj.

Uroj që Qendra Informative Kulturore e Qytetit të Shkupit të vazhdojë të zhvillohet edhe më tepër duke ngelur një hapësirë ku të gjithë krijuesit, pa dallim, do të vazhdojnë të jenë të mirëseardhur dhe ku vlerat e arritjet kulturore do të jenë kriter i vetëm përzgjedhës i tyre.

Ju faleminderit!

Sermine Purini