Sërish pritet të ketë rritje çmimi i energjisë elektrike, ja me sa përqind

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se nuk pritet një rritje e madhe e çmimit të energjisë elektrike nga data 1 janar. Ai ka theksuar se, edhe në rast se ndodh një rritje, ajo do të jetë e moderuar dhe do të luhatet nga 1% deri në 3%, dhe jo siç ka ndodhur në shumë shtete të rajonit dhe Evropës ku rritjet kanë arritur deri në 10-20%.

„Nuk pres që të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike nga 10, 15 ose 20 përqind, siç ka ndodhur në shumë shtete të rajonit dhe të Evropës. Nëse ka rritje, do të jetë shumë e vogël, ndoshta në kufijtë e 1 deri 3 përqind“, ka thënë Mickoski gjatë një konferencë për media pas nënshkrimit të kontratave për ndihmë shtetërore me kompaninë „Brainchild“.

Ai ka theksuar se qeveria është e angazhuar për të mbajtur sa më të qëndrueshëm çmimet e energjisë dhe për të evituar rritje të konsiderueshme të kostove për qytetarët.

Në anën tjetër, të premten e kaluar, presidenti i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimoski, ka konfirmuar se janë duke u analizuar kërkesat për çmimet e reja të energjisë elektrike të paraqitura nga kompanitë MEPSO, MEMO, dhe Elektrodistribucioni. Gjithashtu, në muajin dhjetor, EVN Home, si furnizuesi universal i energjisë, pritet të dorëzojë kërkesë për rritje të mundshme të çmimit të energjisë.

Në këtë kontekst, Mickoski ka nënvizuar se qeveria do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të sigurojë që çmimet e energjisë të jenë të pranueshme për qytetarët, duke shmangur çdo ndikim të rëndë në buxhetin e familjeve.