Serbia vazhdon t’i ‘përkulet’ shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën


Ministri i jashtëm serb Ivica Daciq, ka falënderuar ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Pavlo Klimkin, për pozicionin parimor të Ukrainës për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.

Kreu i diplomacisë serbe ftoi ministrin Klimkin në një vizitë dypalëshe në Serbi, e cila u pranua nga kreu i diplomacisë ukrainase dhe gjithashtu i dërgoi një thirrje Daçiqit për të vizituar Kievin, transmeton lajmi.net.

Daciq dhe Klimkin u takuan gjatë një vizite zyrtare të Presidentit të Ukrainës Petar Poroshenko në Serbi.

Gjithashtu, dje drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Juval Rothem, për siç ka thënë “angazhimin e tij të vazhdueshëm për të mos njohur pavarësinë e Kosovës”.

Gjuriq, gjatë takimit me zyrtarin e lartë izraelit, njoftoi atë për dialogun Beograd-Prishtinë dhe i paraqiti atij një vendosmëri të qartë të Beogradit për të zgjidhur të gjitha problemet në rajon me mjete paqësore dhe politike, bën të ditur zyra e Gjuriq.

Kujtojmë, se Serbia shpenzon miliona euro për të lobuar kundër Kosovës në shtetet që nuk e kanë njohur, të mos e bëjnë kurrë një gjë të tillë dhe në ato që e kanë njohur ta tërheqin njohjen.