Serbia po vaksinon me shumë sukses. Po ku qëndron sekreti?

Në një intervistë për gazetën gjermane FAZ ministri i Shëndetësisë i Serbisë Zlatibor Lončar e shpjegon suksesin e deritanishëm ndër të tjera me faktin se vendi i tij, ndryshe nga vendet perëndimore, është përpjekur të marrë vaksina nga të gjithë ofruesit.

Prandaj në Serbi janë në dispozicion prej disa javësh jo vetëm vaksinat e Pfizer/Biontech, por edhe vaksina ruse “Sputnik V” dhe vaksina kineze Sinopharm. Po ashtu ndryshe nga shumë vende të tjera, qytetarët e Serbisë mund të zgjedhin se çfarë vaksine dëshirojnë të bëjnë.
Vaksina ruse më e preferuara në Serbi

Sipas Mirsad Djerlek, sekretar shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, vaksina ruse është më e preferuara në Serbi. Sipas tij 40 përqind e atyre që dëshirojnë të vaksinojnë kanë zgjedhur “Sputnik V” dhe vetëm 28 përqind Pfizer.
Arsyeja kryesore që Serbia radhitet ndër vendet kryesuese në garën e vaksinimit lidhet me Kinën, e cila deri tani i ka lëvruar Serbisë një milion doza të vaksinës Sinopharm – një shumë e konsiderueshme për këtë vend me shtatë milion banorë.
Kontigjenti i parë arriti në mes të janarit dhe presidenti Vuçiç dhe ambasadorja kineze në Beograd dolën personalisht në aeroport. “Ne jemi krenarë për marrëdhëniet tona të mira me Kinën,” tha Presidenti i Serbisë.

Politikë simbolike rajonale
Me përparësinë e Serbisë në furnizimin me vaksina mund të praktikohet shkëlqyeshëm edhe politikë simbolike rajonale. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha së fundmi se Serbia i mundësoi së fundi Maqedonisë së Veriut të blinte prej saj 8,000 doza vaksine Pfizer/Biontech. Presidenti Vuçiç njoftoi po ashtu plot kënaqësi se Serbia mund të ofrojë ndihma të mëtejshme: “Ky është një hap miqësor dhe vëllazëror drejt qytetarëve të Maqedonisë e Veriut. Ne nuk kemi asnjë problem për të ndihmuar edhe Shqipërinë. Dhe jemi gjithashtu të gatshëm të ndihmojmë edhe shqiptarët në Kosovë”

Se sa ngarkesë politike kanë çështje të tilla u bë e qartë në dhjetor, kur Beogradi dërgoi një sasi minimale prej 55 dozash vaksinash në veriun e Kosovës. Prishtina u shpreh për ndërhyrje në çështjet kosovare, kurse Vuçiç u përgjigj se Serbia nuk kishte dërguar artileri apo tanke, por vetëm vaksina dhe ilaçe.