Serbia konfiskon dhjetëra kilogram drogë në një makinë me targa të OSBE-së


Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi njoftoi se pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, kanë thyer një zinxhir të kontrabandës së drogës nga Shqipëria përmes Kosovës dhe kanë konfiskuar 50 kilogramë marihuanë. Bëhet e ditur se pesë persona janë arrestuar në Beograd për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve.

I dyshuari S. M. (1993) dhe I. Zh. (1999) u arrestuan pasi kishin poseduar marihuanë dhe me atë rast iu gjetën rreth 30 kilogramë nga kjo lëndë narkotike, ndërsa A.D. (1980), D. M. (1973) dhe G.K.(1981) që sillnin drogë nga Kosova – me një automjet pasagjerësh me shenja të misionit të OSBE-së – u arrestuan kur tentuan të arratiseshin me automjet nga vendi i dorëzimit.

Në komunikatën për shtyp të MPB-së serbe thuhet se me këtë rast punonjësit e policisë te të tretë kanë gjetur edhe 20 kilogramë marihuanë, si dhe një sasi më të vogël kokainë. Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës me kallëzim penal do t’i dorëzohen Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.