Serbia e liron Radoiçiqin nga paraburgimi, i ndalohet hyrja në Kosovë

I dyshuari për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoçiq i arrestuar dje në Serbi është liruar nga paraburgimi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Siç raportojnë mediat serbe, Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi ka dëgjuar të pandehurin për arsyet e caktimit të paraburgimit, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar masën e paraburgimit.

Siç bëhet e ditur, Radoiçiqit i është caktuar masa e ndalimit të daljes nga vendbanimi, pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.

Radoiçiq, i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, u ndalua të martën nga autoritetet në Beograd.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e ka marrë në pyetje Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”. /Reporteri.net/