Serbët fillojnë heqjen e tendave në Jarinjë

Në Jarinjë ka filluar tërheqja e tendave që kishin ngritur protestuesit serbë para dy javësh.
Po ashtu, në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak protestuesit serbë kanë larguar edhe kamionët që kishin krijuar bllokadat.
Deri në ora 16:00 serbët kanë kohë për të larguar bllokadat, kurse pas kësaj, situatën në kontroll do ta merr KFOR-i.

Serbët lokalë tash e dy javë kishin bllokuar rrugët me kamionë, duke pamundësuar kështu lëvizjen e automjeteve, e duke detyruar qytetarët të kalojnë në këmbë kufirin.
Megjithatë, rrugët pritet të lirohen sot, sipas marrëveshjes që është arritur para dy ditësh në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Marrëveshja parasheh që serbët të largojnë bllokadat nga rrugët, e që në vendkalimet kufitare të vendosen ushtarët e KFOR-it, po ashtu nga marrëveshje është paraparë që të largohet edhe Njësia Speciale.