Sëmundja që po vret fëmijët, si i dëmton enët e gjakut dhe lidhja me koronavirusin

Një pesë vjeçar vdiq në Nju Jork nga një sëmundje e rrallë që po haset tek disa fëmijë, që shkakton dëmtimin e enëve të gjakut dhe besohet të ketë lidhje me koronavirusin. Është një rrezik i ri i mundshëm për fëmijët në këtë situatë pandemie. Një fëmijë tjetër shtatë vjeçar gjithashtu vdiq në Nju Jork, por autoritetet spitalore thonë se është herët të arrihet në përfundimin se shkaku ishte koronavirusi. Njoftimin për pesëvjeçarin nga sëmundja e rrallë e quajtur Kavasaki, e dha Guvernatori Andrew Cuomo të premten në konferencën e përditshme për shtyp.

Zoti Cuomo tha se zyrtarët e shëndetësisë po ndiqnin 73 raste të ngjashme në gjithë shtetin e Nju Jorkut, ku fëmijët me COVID-19 po shfaqnin simptoma të sëmundjes Kavasaki, një sëmundje e rrallë.

“Megjithëse rrallë, po shohim disa raste kur fëmijët e sëmurë me COVID, mund të preken nga sëmundja Kavasaki që shkakton acarimin e enëve të gjakut”, tha ai.

Dhjetra fëmijë amerikanë janë shtruar në spital me këtë pezmatim serioz që është hasur për here të parë në Evropë, përfshirë një foshnjë gjashtë muajshe në Kaliforni.

Temperatura, dhimbjet e barkut dhe acarimi i lëkurës, janë simptoma të zakonshme, ndërsa disa fëmijë në Nju Jork kanë pasur miokardit, një gjendje e rrezikshme e zemrës, që kërkon trajtim intensiv. Shumë prej tyre kishin ose kishin kaluar koronavirus.

“Po shohim fëmijë që kanë pasur temperaturë për tre-katër ditë. Me kruarje, acarim të lëkurës në gjithë trupin, ose në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve, diçka e pazakontë”, thotë Dr. Steven Kernie, i Spitalit të Fëmijëve, Morgan Stanley në Nju Jork.

Organizata mjekësore në Britani, Itali dhe Spanjë paralajmëruan mjekët muajin e kaluar për këtë sëmundje.
Disa doktorë thonë se rastet e Nju Jorkut i shtojnë gjasat se sindroma është një komplikim i rrallë i COVID-19, megjithëse ende nuk është provuar.

“Po shohim që në disa raste, edhe pse të rralla, disa fëmijë kanë një reagim më të fortë, tepër acarues për zemrën”, thotë Dr. Adriana Tremoulet, mjeke në spitalin e fëmijëve, Rady në San Diego dhe nëndrejtore e Qendrës për Studimin e Kavasakit në Universitetin e Kalifornisë.

Rreth 3 mijë fëmijë amerikanë diagnostikohen me sëmundjen Kavasaki çdo vit, kryesisht nën 6 vjeç dhe djem. KJo sëmundje është diagnostikuar për herë të parë në fëmijët japonezë.

Fundjavën e kaluar, studiues, mjekë dhe zyrtarë shëndetësie amerikanë dhe ndërkombëtarë, diskutuan javën e kaluar dhe arritën në përfundimin se fëmijët e prekur duhet të trajtohen në spitale ku kujdesi intensiv është në dispozicion, pasi gjendja e disa fëmijëve keqësohet me shumë shpejtësi.

Megjithatë mjekët ende besojnë se shumë fëmijë me COVID-19 do të kenë vetëm një rast të lehtë. Shihni fotot me shenjat e sëmundjes