“Dy vjet vajza ime ka qenë një fëmijë i shëndetshëm, e bukur, një topolake e bukur… por pastaj shfaqja e sëmundjes e treti vajzën.”
Në të shtumtën e ditës kjo nënë qan për të bijën. Reisila është veçse tre vjeçe dhe trupin ia ka pushtuar një sëmundje e rrallë, që në Shqipëri vështirë të kurohet.Nëna e vogëlushes i tregoi emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” si filloi gjithçka… sesi vajza e saj u dobësua ndjeshëm, sesi kurrizi e këmba iu deformuan.Nëna: Çdo nënë që ka fëmijën sëmurë, e kupton dhimbjen time. Dy vjet vajza ime ka qenë një fëmijë i shëndetshëm, e bukur, një topolake e bukur… por pastaj shfaqja e sëmundjes e treti vajzën. Vura re disa gjendra që i kishin dalë në shpatullën e djathtë. Aty shtanga. Nuk po e kuptoja se çfarë kishte. Më kanë thënë që është një sëmundje shumë e rrallë. Ka një vit që po sillem nëpër spitale.
Ajo gjithë ditën rënkon, mami më dhemb ‘pupla’ thotë. Asnjë mjekim nuk ka marrë deri tani. Më vret shumë. Dua që vajza ime të jetë si vajzat e tjera. Kurrë ajo nuk ka veshur një fustan se e ka këmbën e keqe, kurrizin e ka të deformuar.Babai i Reisilës na tregon se e bija ka një tumor beninj, por që nëse nuk kurohet, mund të kthehet në një sëmundje që do t’i marrë jetën.
Babai: Kanë thënë që është një tumor i mirë, por ndoshta mund të kthehet në malinj. Jam interesuar pranë spitalit ‘Bambino Gesu’në Itali dhe më kanë thënë që trajtimi kushton 20 mijë euro, për tre vite rresht.
Ndërsa gjyshja e vogëlushes nuk gjen qetësi në shpirt. I lutet Zotit çdo ditë që të bëjë mrekulli.Nëna e Reisilës është ajo që mban barrën më të lartë. Një mal me dhimbje e përshkon kur sheh të bijën të rënkojë nga dhimbjet, duke e ditur se nuk ia lehtëson dot…
Nëna: Mami thotë, ne jemi shoqe bashkë, do rrimë përherë bashkë, më thotë të kam zemër… çdo fjalë të bukur. Dhe unë, pa vajzën, nuk e mendoj jetën time në këtë botë.
Vetëm jashtë shtetit mund të bëhet diçka për të. Kemi të ardhura vetëm për bukë, për trajtime mjekësore nuk kemi. Unë vetë jam dorëzuar. Ajo çdo natë i lutet Zotit… Zoti ishalla më ndihmon, i dëgjon lutjet vajzës sime. I lutem shqiptarëve, që të më ndihmojnë, që vajza të jetojë jetën e saj. Të mos e lënë vajzën time të vdesë, të më ikë nga duart.