Sela: S’do të lejojmë të realizohen paralajmërimet e Mickoskit

Kryetari i KQ të ASH-së, Ziadin Sela, në konferencën për media që e mbajti në selinë e partisë në Tetovë, u shpreh se nuk do të lejojnë që të realizohen ato që kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski kishte paralajmëruar kohë më parë, pra ndarjen e ASH-së. Sela tha se paria është e bashkuar, ndërsa vendimin e Taravarit që të shkohet në zgjedhje me opozitën shqiptare LEN, e quajti vendim të një individi.

“ASH nuk do të lejojë të realizohen paralajmërimet e Mickoskit të thëna para disa javësh publikisht në intervistat e tij ku garantonte që vetëm ajo pjesë e ASH-së që do të ngelet do të jetë jashtë planeve të tij dhe ne e kemi për nder këtë gjë, se nuk është një pjesë, por është e gjithë ASH që është jashtë planeve të tij, ndërsa individët janë çështje tjetër se si vendosin. ASH nuk është e copëtuar është e bashkuar dhe do të dijë që të vendosë për fatin e saj”, u shpreh Sela.