Sela: “Nga Zgjedhjet në Tetovë, do të ndikohet edhe rrjedha politike në të ardhmen”

Aleanca për Shqiptarët dje ka hapur fushatën për zgjedhjet për Këshillin Komunal të Tetovës. Konventa promovuese e kandidatëve nën moton “Jepi zë rinisë” është mbajtur në një formë dhe pamje krejtësisht ndryshe, duke u dalluar nga format tradicionale të tubimeve.

Në këtë eveniment, të pranishëm ishin edhe krerët e partisë, kryetari Ziadin Sela, nënkryetari Arben Taravari, deputetë dhe funksionarë të tjerë partiak. Kandidatët që i prijnë listës, Abdulla Osmani dhe Idila Pustina, vlerësuan mundësinë që Aleanca për Shqiptarëve ju ka dhënë të rinjëve në Tetovë për të qenë në krye të këtij procesi mjaft të rëndësishëm.

Nënkryetari i ASH, Arben Taravari tha se lista e dominuar nga të rinjtë në Tetovë është një vizion i ASH-së që është dëshmuar edhe më herët, duke përmendur këtu të rinjtë që tanimë udhëheqin me shumë pozicione në Komunën e Gostivarit por edhe në funksione të tjera.

Sekretarja e përgjithshme e ASH, Vjollcë Berisha, në fjalen e saj para të pranishmëve tha se kjo listë është një shpresë për të rinjtë që të mos braktisin vendin, por ta ndërtojnë vetë qytetin për të krijuar një të ardhme më të mirë. Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, u shpreh se të rinjtë janë forca e shoqërisë dhe e ardhmja e kombit. Ai theksoi rëndësinë e zgjedhjeve në Tetovë, pasi prej tyre tha se do të ndikohet edhe rrjedha politike në të ardhmen.