Sela nga selia e VV-së: Nevoja për ndryshime në Maqedoni po ndjehet nga elektorati

Sot në hapësirat e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, edhe njëherë u konfirmua përkrahja e këtij subjekti politik për koalicionin “Tash është koha” në përbërje të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, bashkë me anëtarët e kryesisë Glauk Konjufca e Arbër Zaimi, ish zv.kryeministrin Haki Abazi dhe asistenten ekzekutive Valë Gjonbalaj mirëpritën në takim miqësor delegacioni e koalicionit ASH-AAA të përbërë nga kryetari i ASH-së Ziadin Sela, kryetari i AAA-së Afrim Gashi, kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, anëtari i kryesisë së AAA-së, Zeqirja Ibrahimi dhe veprimtari Bekim Qoku.

Në takim u bisedua për përvojat e deritanishme dhe zhvillimin rajonal të mëtutjeshëm.

Të pranishmit diskutuan edhe për programin dhe qëndrimet e koalicionit ASH-AAA, për çka kryetari i LVV-së, Albin Kurti me bashkëpunëtorët e tij shprehën vlerësimin e tyre, duke uruar që zgjedhjet e 15 korrikut të kurorëzohen me përfaqësim të suksesshëm dhe frymë të re në RMV.

Kryetari i ASh-së, Ziadin Sela theksoi se nevoja për ndryshim në RMV veç më po ndjehet ku do nga elektorati, gjë që e bën atë optimist për rezultatin zgjedhor. Nga ana tjetër edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi theksoi nevojën për përfaqësim cilësor të shqiptarëve, përfaqësim që do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve në RMV ashtu siç e meritojnë.