Sela në takim me Mickoskin: Vazhdon përkrahja e ndërsjellë në rrethin e dytë, punojmë për krijimin e shumicës së re

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka takuar kryetarin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, me të cilin kanë biseduar për rrjedhën e procesit zgjedhor dhe veprimet e mëtejshme.

Siç njoftojnë nga ASH, në takim është konfirmuar përkrahja reciproke në rrethin e dytë, për komunat për të cilat kanë pasur marrëveshje për rrethin e parë zgjedhor.
“Njoftojmë opinionin se koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është stabil dhe bashkërisht punojmë në krijimin e shumicës së re parlamentare brenda një periudhe shumë të shpejtë”.

“Edhe përkundër manipulimeve, presioneve, blerjes së votave dhe keqpërdorimeve të shumta, qytetarët dëshmuan se janë kundër Qeverisë dhe pushteti aktual tanimë nuk ka legjitimitet për të udhëhequr vendin as në nivel lokal dhe as në atë qendror”, thuhet në njoftimin e ASH-së.