Sela: Mijallkovi iku me përkrahje nga politikanët

Ndaj rastit të mosgjejtes së të akuzuarit në rastin “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov, ka reaguar lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Ka vlerësuar se Mijallkovi ka ikur duke u ndihmuar nga politikanët, dhe ikja e tij është politike, ashtu siç janë reformat në drejtësi.
“Mos keni asnjë dilemë, reforma çdoherë është vetëm politike e tillë është edhe ikja e Mijallkovit sot me përkrahje nga politikanët, dosta të vjetër e të ri të qeverisë. Prandaj, politikisht Zoran Zaev duhet të mbaj përgjegjësi dhe të jap dorëheqje. Po njëjtë dhe akoma me zëshëm se dje, POSHTË REGJIMI!”, ka thënë mes tjerash Sela.

Ai me këtë rast, vlerëson se nuk ka kuptim që reformat në drejtësi të bëhen nga koalicioni qeverisës, pasi sipas tij, kjo mundëson të mbahet gjallë regjimi i djeshëm.
“Asnjë kuptim nuk ka që reformën dhe sidomos atë në drejtësi ta bëjnë grupet pjesë të koalicionit politik që e ndërtuan një regjim dje dhe që po e mbajnë gjallë akoma sot. Lista vetëm se është zgjeruar. Nikollës dhe Aliut, Sashos dhe Agimit, i është shtuar Zaevi dhe Oliveri. Reforma kurrë s’është një proces teknik ose më sakt thënë, është fare pak teknik, ajo është një proces kryekëput politik”, shkruan më tej Sela

Sipas tij janë të pabaza deklaratat e kryeministrit Zoran Zaev, se ikja ka ardhur për shkak të problemeve teknike, duke kujtuar rastin e arratisjes së ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili edhe sot gjendet në Budapest.
Nga ana tjetër, Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit tashmë ka hedhur dyshime se Mijallkovi është arratisur dhe se për këtë e kanë ndihmuar ndokush, pasi ka filluar procedura për shqiptim të masës së arrestit shtëpiak.
Ndërkohë, tashmë është shpallur fletarrest ndërkombëtar, ndërsa policia ende është në kërkim të tij.