Sela “mes dy zjarreve” për koalicionin parazgjedhor (VIDEO)

Nismëtari i bashkimit të partive opozitare shqiptare Ziadin Sela në mesditë numëroi minutat e fundit nga afati 48 orësh. Por, pas takimit të zhvilluar me Afrim Gashin pasdite, kreu i ASH-së tha se kanë arritur ujdinë me Alternativën dhe se do të jenë në pritje edhe 12 orë tjera për një përgjigje nga Lëvizja Besa. Ai tha se do të bëj çmos që vota shqiptare të unifikohet përmes një koalicioni të fuqishëm parazgjedhorë.

Në momentin që po flasim, e kam patjetër të them se kam marr një pëlqim me shkrim për një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit, nga Afrim Gashi, kryetari i Alternativës. Dhe fatkeqësisht kemi hasur në injorim nga ana e palëve të tjera. Ne kemi veç më një parapëlqim për koalicion dhe kthim mbrapa nga ky moment nuk ka, ndërkohë që jemi të hapur për të gjitha palët e interesuara që ta bëjnë sa më të fortë votën e shqiptarëve- deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Sela tha që nga koalicioni i 2017-ës me Lëvizjen Besa kur ishte një parti, kanë pasur ujdinë që edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të garojnë së bashku. Ai iu bënë thirrje për të mbajtur fjalën.

Nga Lëvizja Besa shprehin gatishmërinë për tu ulur dhe biseduar për një koalicioni trepalësh.

LËVIZJA BESA

“Ne kemi vendim të Kryesisë Qendrore ku pranojmë koalicionin trepalësh dhe momentin që nga nismëtari do kemi ftesë për takim do jemi prezent ne atë takim.”

Kreu i ASH-së Sela ka zhvilluar takim me kreun e Alternativës. Nga partia e Gashit thanë se nuk përjashtojnë, por as nuk përfshijnë mundësi koalicioni.

ALTERNATIVA

“Ne jemi të gatshëm për një koalicion, i cili e kthen shpresën e ndryshimit edhe në Maqedoni. Ne kemi zhvilluar bisedime për arritjen e një koalicioni me ASH dhe ato bisedime vazhdojnë. Alternativa nuk i ka dhëne vetes as atribute përjashtuese e as kushtëzuese, por edhe as atribute përfshirëse. Alternativa nuk mendon se koalicionet janë temë e aritmetikës, por ato janë lëndë e mirëbesimit, parimeve dhe programeve politike, që mund të konvergjojnë në bashkëpunim.”

Këto tri partitë opozitare shqiptare, aktualisht kanë 8 deputetë në këtë përbërje parlamentare. Të gjitha shprehen të hapura për një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 12 prillit.