Sela: Kam paralajmëruar se do të manipulojnë me regjistrimin e diasporës

Diaspora nuk do të përfshihet në regjistrin e popullsisë rezidente, por në një grafë të posaçme ku do të qëndrojnë të gjithë shtetasit të cilët për më shumë se një vit jetojnë apo punojnë jashtë vendit. Kjo është bërë e ditur nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në një debat televiziv ku ka folur edhe për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, që ka nisur më 5 shtator dhe do të përfundojë më 30 shtator.

“Të gjitha ata janë qytetarë tanë, pavarësisht nëse jetojmë brenda apo jashtë vendit. Ata do të përfshihen në regjistrim, por ka një dallim të qartë mes tyre. Do të kemi popullatë rezidente dhe jorezidente. Jorezidentë do të jetë të gjithë ata të cilët për më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit dhe kjo është shumë e qartë”, ka theksuar Zaev. Sqarimi i tij vjen pas debateve të shumta, por edhe dilemave sesa banorë ka Maqedonia e Veriut, e cila nuk e regjistruar popullsinë që nga viti 2002.

Sipas të dhënave të këtij regjistrimi, vendi numëron rreth dy milion banorë, prej të cilët rreth gjysmë milioni apo afër 25 për qind janë shqiptarë. Reagimet që kryesisht vinin nga opozita maqedonase kishin të bënin me pretendimet e tyre se në regjistrimin e popullsisë, pushteti do të përfshijë edhe popullatën jorezidente me çka sipas tyre do të ndryshohej struktura etnike e popullsisë, në favor të asaj shqiptare. Kreu i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se i vjen mirë që kryeministri Zoran Zaev më në fund pranoi vërejtjen e opozitës që diaspora nuk duhet të përfshihet në numrin e përgjithshëm të popullatës rezidente.

Ai, por edhe kryeministri Zaev, thanë se Enti i Statistikës do të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare, përkatësisht Eurostat-it, i cili përcakton qartë modalitetet mbi regjistrimin e popullsisë.
Ndërsa sot, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, duke komentuar deklaratat e fundit kontradiktore rreth regjistrimit të diasporës, tha se me kohë i ka paralajmëruar “këto manipulime”.

“Pse nuk i merrni deklaratat e mia prej kur u shty regjistrimi dhe do të shikoni që prej atëhërë e kam paraparë gjithçka që po ndodhë sot. Ju kam thënë që do të manipulojnë me diasporën a do të evidentohen apo do të regjistrohet. Do të mundohen të ndërhynë në proces, tani hakerat po e su*lmojkan faqen. Mjafton të ktheheni disa muaj më mbrapa, merrni deklaratat e mia dhe do të shikoni aktualitetin sot, e kemi paralajmëruar këtë situatë ne. Mua skandaloze më duken këto deklaratat e kryeministrit, i cili assesi nuk mund të largohet nga mendësia e tij mesjetare. Ai mendon që është sundues. Në mesjetë nga sunduesi vareshin të drejtat e qytetarëve. Sot jetojmë në shekullin 21 dhe nuk duhet te varen të drejtat kolektive të një populli nga dëshira e mirë ose e keqe e një sunduesi. Kjo vjen si rezultat i përkrahjes së programeve dhe platformave që legjitimohen me votë dhe pasi që legjitimohen me votë realizohen në Parlament. Nuk kemi nevojë që dikush të na tregojë përralla me mbret, e kemi shumë të nevojshme që të dimë numrin real”, deklaroi, Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.