Sela i shkruan Pendarovskit, ja letra e Selës!

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kundërshtuar ashpër presidentin e vendit Stevo Pendarovski për deklaratën e tij që ka të bëj me kushtëzimit bullgar rreth gjuhës maqedonase.

“Assesi nuk mund të pajtohem me ju është kur thoni se Maqedonia e Veriut do duhej të hiqte dorë nga integrimi në Bashkimin Evropian (BE) nëse Republika e Bullgarisë kushtëzon hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, me kërkesën që gjuhës maqedonase t’i referohet në dokumentet zyrtare të BE-së si “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Jo, zoti President, qytetarët e këtij vendi kurrë nuk do të pranojnë të heqin dorë nga BE-ja. Unë e kuptoj mirëfilli reagimin tuaj emocional në lidhje me kushtëzimin bullgar rreth gjuhës maqedonase, megjithatë, atë qe nuk po mund të kuptoj është se si edhe pas këtij kushtëzimi bullgar, ju personalisht dhe establishmenti politik maqedonas në përgjithësi, nuk keni nisur qoftë edhe reflektimin më të vogël rreth asaj se si ndjehen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku vazhdimisht u cenohet identiteti i tyre kombëtar”, shkruan Sela, duke përkujtuar Pendarovskin se raste të tilla edhe në shekullin 21! Dhe për këtë nuk keni nevojë fare të shikoj drejt Sofjes.

“Mjafton të shikoni në oborrin tuaj, sepse Maqedonia e Veriut, President i së cilës jeni ju vetë ua konteston po këtë të drejtë shqiptarëve, bile në mënyrë edhe më eklatante, duke e reduktuar gjuhën shqipe në një “gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja… Duke u nisur nga parimi “mos ia bën asnjëherë tjetrit atë që nuk dëshiron dikush të t’a bëjë ty”, shpresoj se bashkë me ju dhe politikanë tjerë mendje hapur maqedonas të bëhemi bashkë në jetësimin e idealit tonë evropian dhe të ndryshojmë këtë kushtetutë retrograde, që më në fund gjuhës shqipe t’i themi gjuhë shqipe duke braktisur kështu logjikët e një periudhe të errët të historisë”, shkruan më tej Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.