Sela: Ahmeti s’është gati të përballet me mua, Ahmeti: Unë ulem me më të fortin

Lideri i ASH-së Ziadin Sela nga tubim me qytetarët e diasporës ka deklaruar se ikja e Ahmetit nga debati është mungesë e respektit ndaj votuesve shqiptarë.

“Një kryetar partie që i ikë debatit me oponentin e tij, e para që ai e tregon është një mungesë respekti në total ndaj votuesit prej të cilit ka marrë votën. Mungesë e gatishmërisë së Ahmetit që të dalë përballë me mua në debat, është mungesë respekti ndaj çdo shqiptari, sidomos votuesve të tij. Në fund të fundit, demokracia ka edhe krahasim e ku ka më mirë për krahasim në momentin që sheh kryetarët e dy partive politike që dalin në debat të përbashkët dhe përballin argumentet dhe kundërargumentet”, tha Sela.

Por Ahmeti kohë më parë kishte deklaruar se për të Sela nuk është lider i opozitës dhe se do të ulej në debat me më të fortin, duke aluduar në Kasamin. E kur u pyet se a do të ulej me Kasamin, Ahmeti tha se duhet ta mendojë se ai ka qenë BDI.

Fatmir Aliu: Pse nuk dilni në debat me zotëriun Sela?

Ali Ahmeti: Unë do të dalë me atë më të fortin.

Fatmir Aliu: Me kë thoni? Do të dilni në debat me zotëri Kasamin? Vetëm thuaje se unë mund të organizojë debat?

Ali Ahmeti: Duhet të mendoj se ai ka qenë BDI.

Fatmir Aliu: Po ju thoni mediave se ju nuk po e bëni?

Ali Ahmeti: Çfarëdo organizimi i një debati të tillë, nuk mendoj se do të ishte i dobishëm dhe se do të përfitonin qytetarët e Maqedonisë.

Debati i fundit që është zhvilluar mes dy liderëve shqiptarë ka qenë para shumë viteve në mes Ali Ahmetit dhe Arber Xhaferit.