Sekuestrohen 4 ton marijuanë ndër vite, shkatërrohet banda italo-shqiptare

Policia ka bërë me dije se një bandë italo-shqiptare është shkatërruar. Ndër vite janë sekuestruar 4 ton marijuanë, armë zjarri, kokainë, gomone si dhe para.

Njoftimi:

Bashkëpunim i konsoliduar mes autoriteteve italiane dhe  Policisë së  Shtetit

Shkatërrohet një bandë italo-shqiptare që vepronte prej vitesh

Sekuestrohen ndër vite mbi 4 ton marijuanë, armë zjarri, 0.5 kg kokainë, gomone etj.

Si rezultat e një bashkëpunimi të konsoliduar mes strukturave policore shqiptare dhe italiane, u bë i mundur realizimi me sukses i një operacioni të gjerë antidrogë, në kuadër të të cilit u arrestuan 17 shtetas ditën e sotme në Itali, 4 prej tyre shqiptarë, të tjerët italianë, që bënin pjesë në një rrjet trafiku ndërkombëtar narkotikësh.

Në total janë 32 persona të proceduar, ndërsa hetimet kanë nisur që në vitin 2017, pasi në brigjet italiane, u kapën sasi të mëdha marijuane dhe në përfundim të hetimeve u lëshuan urdhër ndalimet për pjesëtarët e rrjetit, rezidentë në disa qytete të Italisë.

Si prova materiale u kapën dhe sekuestruan mbi 4 ton marijuanë, 0.5 kg kokainë, 27 mijë euro, 1 gomone, 3 autovetura, armë zjarri e sende të tjera me vlerë për hetimin.

Personat e arrestuar vepronin si organizatë e strukturuar kriminale dhe kryenin transportin, magazinimin, shpërndarjen, shitjen etj., të drogës nëpër qytete të ndryshme të Italisë e kryesisht në veri të këtij vendi.

Operacioni për arrestimin e të kërkuarve i koduar “Beached”, u zhvillua gjatë natës së djeshme dhe ditës së sotme dhe në të u angazhuan njësi të ndryshme të strukturave ligjzbatuese italiane, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Shqiptare në një bashkërendim operativ mes të dy palëve.