Sekuestrohen 23 kg kanabis dhe 2500 euro

Sekuestrohen rreth 23 kg lëndë narkotike, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate, në Vlorë.

Gjatë operacionit antidrogë të koduar “Përpunimi” u sekuestrua edhe një pajisje metalike që shërbente për përpunimin e lëndës narkotike, si dhe një sasi e konsiderueshme eurosh të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Në pranga ka rënë poseduesi i lëndës narkotike, A. Binaj 44 vjeç, banues në Vlorë.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 44-vjeçarit, në lagjjen “24 Maji”, u gjet një sasi lënde narkotike, rreth 23 kg cannabis sativa, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate, si dhe një pajisje prerëse metalike, e cila ka shërbyer për përpunimin e lëndës narkotike. Gjithashtu, po gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi prej 2500 eurosh, të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal në lidhje me pazaret e shitblerjes së lëndës narkotike” njoftoi policia.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.