“Sekti fetar i mori në qafë”/ “Anisa dil!” Mes lotësh, kunati i i Zhaneta Josifit rrëfen përpjekjet për ti nxjerrë nga shtëpia

Sotir Kristollari, kunati i Zhaneta Josfifit, gruas që u vetëflijua bashkë me vajzën në banesë, rrëfen në një intervistë ekskluzive për gazetaren Anila Hoxha se një sekt fetar i rekrutoi që kur ato jetonin në Përmet.

Ai tregon përpjekjet që familjarët bënë për ti nxjerrë nga shtëpia nënën dhe dy vajzat, të cilat ishin mbyllur prej muajsh.

Sotir Kristollari, kunat i Zhaneta Josifit dhe i afërm i Anisës dhe Blerta Josifit, kjo e fundit e vetmja e mbijetuar e familjes Josifi.

Kristollari së bashku me bashkëshorten, për një kohë të gjatë kanë tentuar ti nxjerrin nga vendi ku ishin izoluar, pa ditur se njëra prej tyre, Anisa, nuk jetonte më.

“Anisa kishte studiuar për ekonomi biznes, Blerta inxhiniere elektronike. Blerta punoi nja 5 vjet inxhiniere. Pas 5 vjetësh çupën e heqin. Reformë 200 veta. Anisa ç’merrte nga këto komunikimet me internet. U fut brenda në shtëpi!”, shprehet ai.

I pyetur se si quhet sekti në të cilën angazhohej Anisa, Zhaneta dhe Blerta, ai përgjigjet:

“Ardhur nga Holanda më duket në Përmet, pastaj vazhduan lidhjet me këtë grup të Përmetit. Para një viti e ka marr një grua Anisën dhe i thoshte “Stop, Stop, mos lexo këto libra!”. Ato filluan të mbyllen. U mbyll e para Anisa, dalëngadalë dhe Blerta. “.

I përlotur ai vijon të tregoj më tej se:

“Erdhi koha e pandemisë, nuk vinte në punë as e ëma. Ishte fundi i marsit. Të dyja më hapën derën, Blerta dhe Zhaneta. U ula në tavolinë. Anisa ka ardhur xhaxhi! Anisa dil! Jo s’u përgjigj Anisa, Anisa kish mbaruar. Nuk e pash ishte në dhomën tjetër”.

“I thash Zhanetës i kërkova vajzën. Dale dhe një javë, fundi i marsit, dale dhe fundi i prillit, i vajta prapë nga fundi i muajit. Zhaneta ishte ulur në të njëjtin divan me Blertën, se kishte hall se mos e tradhtonte Blerta. Se Blerta matej sikur të thoshte diçka!”, përfundon i përlotur kunati i Zhaneta Josifit.