Pas atmosferës së krijuar në opinion si rezultat i ngjyrës së fanellës së re të ekipit përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini ka dalur me komunikatë zyrtare. Sejdini fillimisht ka shprehur keqardhje për reagimet negative që u nxitën nga fanella e re, duke thënë se mbështetja teknike në lidhje me ngjyrën e fanellës nuk është në pajtueshmëri me kërkesat e FFM-së.
“Si president i federatës, unë marr përgjegjësinë time për pasojat e mundshme dhe njoftoj se në Kampionatin Evropian do të luajmë me fanellat aktuale. Unë këmbëngul që performanca në Kampionatin Evropian të mbahet mend për suksesin e mrekullueshëm që kemi bërë dhe të mos bie në hije nga gjëra që janë të lehta për t’u zgjidhur. Për shkak të reagimeve ndaj ngjyrës së fanellës, ne si Federatë e Futbollit të Maqedonisë i kemi dërguar një letër UEFA-s, duke kërkuar që në ndeshjet e Kampionatit Evropian të paraqitemi me fanellat aktuale” thuhet mes tjerash në komunikatën e Sejdinit.
Kujtojmë që fanella e re e përfaqësueses së Maqedonisë u promovua të premten, ndërsa e njejta mori shumë komente negative.