Më 9 qershor, ish-kampioni i botës në peshat e rënda në boks Tyson Fury, do të rikthehet në ring pas 2 vitesh e gjysmë pushim.
Në Manchester Arena, britaniku do të duelojë ndaj shqiptarit Sefer Seferi, që ka shansin e artë të duelojë ndaj një kampioni të pamposhtur bote edhe pse tashmë Fury nuk i ka më titujt që pat fituar ndaj Wladimir Klitschko, përcjell Fakte.
Shqiptari premton betejë. “Të boksosh në këtë nivel nuk është rastësi. Rruga deri këtu ka qenë e gjatë, me shumë vështirësi, punë e palodhshme, e cila për 26 vite kam ditur të sjellë çdo herë suksese”, thotë në faqen e tij zyrtare ne Facebook, 39-vjeçari Seferi.
Boksieri kuqezi shpreson te fitorja, duke deklaruar se është gati për këtë sfidë:
“Gjithmonë i uritur për fitore të reja. Kjo rrugë do të vazhdojë edhe pas ndeshjes me Fury”, deklaron boksieri Seferi, që duelon ndaj një rivali 10 vjet më të ri se ai në moshë, siç është Tyson Fury.