Artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që për vite me radhë ishin të lënë pas dore, pa kontrata të rregullta dhe pa përkrahje institucionale, më në fund po marrin dinjitetin që u takon. Zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se është bërë realitet një nga zotimet më të rëndësishme në fushën e kulturës shqiptare.
Në kuadër të reformës dhe përkushtimit të tij personal, Sulejmani ka bërë të ditur se aktualisht janë punësuar me vendim të përhershëm 38 artistë të ansamblit:
9 instrumentistë të orkestrës
8 këngëtarë
21 valltarë
“Që nga dita e parë në detyrë, kam punuar me përkushtim për ta zgjidhur këtë padrejtësi. Kjo është puna që flet vetë,” shkroi ai.
Zëvendësministri theksoi gjithashtu se nuk do të ndalen këtu. Prioritet i radhës mbetet rregullimi i statusit të 4 valltarëve dhe një defatori, që ende nuk janë përfshirë në listën e kontratave të përhershme. Ai u zotua se shumë shpejt edhe ata do të jenë zyrtarisht pjesë e ansamblit.
“Kjo është kultura që mbështesim me zemër. Ansambli do të jetë burim krenarie për shqiptarët, kudo që ndodhen,” përfundoi Sulejmani.