Seancë e re për “TNT” do të merren në pyetje dëshmitarët

Në Gjykatën Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për lëndën “TNT të Prokurorisë Speciale Publike.
Në seancën paraprake të caktuar për më 26 shkurt mbrojtja parashtroi dëshmi. Avokatët e ish-ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, i cili është mes të akuzuarve në lëndën për rrënimin e kompleksit banesor-afarist “Kosmos” lexoi ekspertiza nga dokumentacioni për lëndën, si dhe aktvendime gjyqësore, të cilat i merr si dëshmi.

Sot, duhet të dëgjohet dëshmitarja Roska Paçeska. në cilësinë e këshilltarit teknik nga fusha e gjeodezisë. Paçeska ka përpiluar mendim me vërejtje për tërë dokumentacionin e lëndës.

Në procedurën dëshmuese, do të thirret edhe arkitekti Mirosllav Gërçev, për të cilin mbrojtja kërkon të merret në pyetje.

Gjykatësi, Ognen Stavrev potencoi se pas tre seancave të ardhshme pret që mbrojtja dhe prokuroria të fillojnë me përgatitjen e fjalëve përfundimtare, duke potencuar se vlerëson që duhet sa më shpejtë të sillet aktvendim. Seancat e ardhshme për TNT janë caktuar për 18 dhe 22 mars.

Për lëndën “TNT” mes të akuzuarve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski. Sipas akuzave të PSP-së, të akuzuarin në vitin 2011 kanë kryer vepër penale nga urrejtja politike duke shkatërruar kompleksin “Kosmos” të Fijat Canovskit.