Sead Zimeri: Koronavirusi nuk është grip, andaj janë mbyllur…

Nga Sead Zimeri:

Koronavirusi nuk është grip. Po të ishte i tillë nuk do të shkaktonte panikë gjithandej saqë të mbyllen shkollat dhe shumica e institucioneve publike. Ka rreziqe reale nga ky virus, rreziqe që përfundojnë në vdekje për ata që kanë imunitet të dobët.

Krahasimet qe po bëhen mes koronavirusit dhe fatkeqësive tjera janë ktejt të pavend dhe tē paqëlluara, dhe tregon diçka për mospërfilljen dhe moskuptimin e seriozitetit të situatës. Ja një shembull: sipas UNICEF-it rreth 3.1 milion fëmijë vdesin prej urisë dhe mungesës së ushqimit të mjaftueshëm.

Por ky fakt nuk shkakton panik. Pse? Sepse 1) uria e tyre është e lokalizuar, sikur luftërat brenda kufijve gjeografik të caktuar. Sado të rrezikshme dhe vdekjeprurëse ato kurrë nuk arrijnë të shkaktojnë panik në botë, nuk janë pandemike pra! Dhe 2) dukuri të tilla mbeten nën kontrollin tonë të plotë: po deshëm uria mund të eliminohet plotësisht me krejt pak sakrifica.

Virusi është diçka tjetër. Është si terrorizmi, ndonëse terrorizmi, në shumë raste ka shtrirje territoriale të caktuar (por jo përherë). Mund të mos ketë shumë viktima, por të terrorizuar të gjithë janë sepse, pikërisht pra, 1) nuk është gjeografikisht i izoluar, të gjithë pa përjashtim mund të bëhen viktima të tij, dhe 2) nuk kemi kontroll mbi të.

Analogji më e mirë për këtë është kjo. Paramendo sikur në qytetin ku jeton për çdo natë disa gra përdhunohen dhe burrat e tyre vriten. Kjo ndodh krejt rastësisht dhe policia e vendit nuk ka idenë se kush janë kriminelët dhe ku do të ndodhë sulmi tjetër. Tani edhe nësë statistikisht numri i viktimave do të jetë pafundësisht më i ulët se katastrofave tjera, paniku që shkaktohet është real dhe arsyeton të gjitha masat që mirren për mbrojtjen tonë. Krahasimet, pra, me katastrofat tjera janë të pavend dhe të pandjeshme.