Sot në arenën për trajnime ushtarake Krivollak, ushtria e SHBA-ve për Evropën ka realizuar trajnime të përbashkëta me Ushtrinë e Maqedonisë.
Në këtë trajnim kanë marrë pjesë edhe zv.ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoni, Micaela Schweitzer-Bluhm, e cila tha se SHBA-të dhe Maqedonia kanë bashkëpunim të shkëlqyer në sferën e mbrojtjes.
“Është mundësi e mirë të shohim ushtarët e SHBA-ve duke trajnuar së bashku me ushtarët e Maqedonisë. Dua të falënderoj Armatën e Maqedonisë për mbështetjen e ushtrisë sonë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer mes SHBA-ve dhe Maqedonisë. Bashkëpunimi mes NATO-s dhe Maqedonisë është i shkëlqyer dhe ne do të bëhemi më të fortë me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. SHBA-ja është e angazhuar që Maqedonia të përfundojë procesin e anëtarësimit në NATO”, tha mes tjerash Micaela Schweitzer-Bluhm.
Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska tha se ky trajnim tregon bashkëpunimin e Maqedonisë me SHBA-në, sidomos në sferën e mbrojtjes.