Ish-ministri i Mbrojtjes gjermane, Rudolf Scharping, thotë se mesazhi i Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor, ishte i qartë – se Serbia nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës.
“Unë do të argumentoja se ndonëse Serbia është duke u parë dhe duke vepruar si aleat i Rusisë, Serbia është shtet që duhet të marrë një mesazh shumë të qartë dhe kancelari gjerman e dha këtë mesazh, në mënyrë shumë të qartë, se nëse ju nuk e respektoni dhe njihni Kosovën si shtet të pavarur, atëherë nuk keni shans të bëheni anëtar i Bashkimit Evropian dhe të bashkëpunoni para se të bëheni anëtar, të bashkëpunoni më afër me Bashkimin Evropian”
“Po, ky ishte një mesazh shumë i qartë që largon çdo paqartësi dhe unë e mbështes shumë”, thotë Scharping. Scharping në Klan Kosova foli edhe për reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pas këtij deklarimi të Scholzit.
“Ajo për të cilën mendoj se u befasua Vuçiq ishte formulimi i qartë dhe publik, nuk e besoj se është befasuar nga përmbajtja e mesazhit, por nga formulimi, mesazhi i është dhënë atij, ndoshta, nuk e di, nuk ka kuptim që ne të spekulojmë tash”.
“Mesazhi ishte i qartë dhe ne tash duhet të gjejmë çështjet praktike hap pas hapi dhe e di se ka shumë propozime në tavolinë për të gjetur një mënyrë, siç kemi bërë me Gjermaninë në fund të viteve të 60-ta dhe në fillim të viteve 70-ta, të arrihet një marrëveshje hap pas hapi përmes uljes së tensioneve dhe duke e bërë jetën e përditshme të qytetarëve, për të cilët jemi duke punuar më të mirë se që ishte më parë” thotë Scharping.