Më shumë se gjysma e fëmijëve në gjithë botën, përkatësisht mbi 1.2 miliard, kërcënohen nga konflikti, varfëria e përhapur dhe diskriminimi ndaj vajzave, thuhet në një raport të organizatës bamirëse ndërkombëtare Save the Children.
I publikuar në prag të 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, raporti analizon se si këta tre faktorë po ua grabisin fëmijëve fëmijërinë.
Raporti po ashtu përfshin renditjen e 175 shteteve, ku fëmijëria është më së shumti dhe më së paku e kërcënuar, si rezultat i shëndetit të dobët, kequshqyerjes, përjashtimit nga shkollimi, punës, martesës, shtatzënisë së hershme dhe dhunës ekstreme.
Pesë vendet e para, ku fëmijët kanë fëmijëri të shëndoshë, janë: Singapori, Sllovenia, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, shkruan rel.
Në pesëshen e fundit radhiten vende të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, ndërsa Nigeri është i fundit në listë.