SASHK: “Mësimi nuk guxon të varet nga ngrohja!”

Sindikata e Pavarur e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës u bën thirrje Qeverisë dhe Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale që bashkërisht të gjejnë zgjidhje të pranueshme për tejkalimin dhe zbutjen e krizës energjetike nëpër shkolla. Kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov për TV21 tha se këto dy institucione duhet të kenë qasje serioze ndaj këtij problemi, pasi, siç shton, në qoftë se mësimi mbahet në mënyrë online, atëherë do të rriten shpenzimet personale të mësimdhënësve.

“Sipas mendimit tim, të gjitha propozimet janë të mirëseardhura, por nuk guxojmë të harrojmë, në vend të parë cilësinë e mësimit, e në vend të dytë interesin e njerëzve që realizojnë mësimin, gjegjësisht mësimdhënësve. Nga ky aspekt, ne kërkuan që këto dy institucione kompetente të kenë qasje më serioze, kuptohet të na përfshijnë edhe neve në gjetjen e një zgjidhjeje, sepse nëse mësimdhënësit punojnë nga shtëpia do të bëjnë shpenzime personale, që nuk do të na shkojnë në favor”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK-ut.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja porosisin se mësim me prani fizike patjetër duhet të ketë! Thonë nëse Qeveria ka para për makina luksoze dhe udhëtime të shtrenjta, atëherë duhet të sigurojë mjete edhe për mësim të pandërprerë.

“Nëse Qeveria ka para për makina të reja në kohë krize, për festime të shtrenjta për marrëveshje kornizë, udhëtime të shtrenjta dhe të panevojshme dhe për gjëra të ngjashme të palogjikshme, atëherë duhet të ketë para edhe për funksionin e pandërprerë të shkollave, me ngrohje dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme. Në të kundërtën, kostoja për rrymë, do të kalonte te familjet. Për shkak të mësimit online, prindërit do të duhet të paguajnë për kompjuterë, tabletë dhe ngrohëse në dhomat e fëmijëve…”, pohoi Prof.Vesna Janevska, VMRO-DPMNE.

Dje, edhe nga Qeveria theksuan se mësimi me prani fizike shkon në interes të nxënësve dhe se nuk do të ketë ndryshim të metodës së realizimit të procesit arsimor. Ideja për zgjatjen e pushimit dhe futjen e mësimit online me qëllim që të tejkalohet kriza ekonomike dhe energjetike, rrodhi nga kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, kurse mbi këtë temë u debatua edhe në seancën e Këshillit për Zhvillim të Rajonit planor të Pollogut.