Në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd, është mbajtur konferenca për media e organizuar nga Nikola Sanduloviq, lider i Partisë Republikane të Serbisë, ku morën pjesë dëshmitarë kyç të cilët tregojnë për inskenimet dhe skenarët e qeverisë Vuçiq për nxitje trazirash në Kosovë.
Motivet e vrasjes potenciale ishin qërim hesapesh në mes pushtetit dhe sindikatës së Policisë së Serbisë, është thënë në këtë konferencë.
“Në vitin 2012, shërbimi sekret i Serbisë kishte porositur snajperistin elit ushtarak Dejan Pllavshiqin që ta vriste në Kosovë policin serb Sasha Llukovacin, në mënyrë që më pas të thuhet se likuidimin e kanë bërë shqiptarët”, ka thënë Nikolla Sandulloviq.
Në konferencë po ashtu u tha se “grupi që kishte porositur vrasjen ishte në përbërjen e Sasha Vukadinoviqit (ish-shef i BIA-s), dhëndri i tij Zoran Jovanoviq, prokurori Milko Radisavleviq, Milan Petroviq (komandant i Policisë në krushevc), Zoran Tërnavac (kumbarë i Bratisllav Gashiqit, shef i tashëm i BIA-s)”.
Për të gjitha këto krime janë njoftuar institucionet në Serbi deri tek Presidenti, por nuk është ndërmarrë asgjë gjer tani. “Mu për këtë janë njoftuar disa ambasada në Beograd, si ajo e Shqipërisë, SHBA-së, Holandës etj.”, u tha aty, raporton KosovaPress.
Për këtë ka reaguar sot edhe kryetari i Partisë Republikane të Kosovës, Faton Kurti, i cili ka thënë se nuk mund t’i besohet Vuçiqit.
“Porosinë dhe organizimin e vrasjeve nga organet e sigurisë serbe… Dejan Plashevic, Nënoficeri i Brigadës 63 Parashutiste, rrëfen se ka marrë urdhrin për të vrarë policin serb Sasha Lukovac në territorin e Kosovës dhe faji më tej t’ju mbetej Shqiptarëve”, ka thënë Faton Kurti.
“Pasi i pyeti bashkëpunëtorët e tij të UDB-së për kënd bëhet fjalë e kupton se bëhej fjalë për një polic të ndershëm dhe nuk e kryen këtë urdhër. Nga ky moment fillon ferri për të dy! Si mund ti besohet një qeverie si ajo e Vuçiç/Daçiçit e cila vret njerëzit e vet për t’ju lënë fajin shqiptarëve”, ka shkruar Kurti. /Insajderi.com